Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka lëshuar akuza të forta nga foltorja e Kuvendit, duke e cilësuar aktivitetin legjislativ të mazhorancës si një “paketë gllabërimi” përmes pesë ligjeve specifike.
Sipas Zhupës, këto nisma jo vetëm që favorizojnë një grup të ngushtë oligarkësh, por bien ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe kërkesat e drejtpërdrejta të Bashkimit Europian.
Zhupa argumentoi se procesi i integrimit nuk mund të jetë i suksesshëm për sa kohë qeveria “thellon gropën e korrupsionit” përmes ligjeve me porosi.
“Në BE nuk futesh sepse hap kapitujt, por futesh duke mbyllur gropën e korrupsionit. Ky Parlament ka miratuar 5 ligje klienteliste që përbëjnë paketën e gllabërimit të pronës publike dhe private,” deklaroi deputetja.
Pesë ligjet e denoncuara nga Zhupa:
Investimet Strategjike: Sipas saj, dhurojnë tokat publike në bregdet te oligarkët.
Zonat e Mbrojtura: Zhupa theksoi se BE kërkon specifikisht shfuqizimin e këtij ligji që lejon ndërtimet në pasuri kombëtare si Pishë Poro.
“Paketa e Maleve”: Akuzohet se i jep mundësinë atyre që kanë para të marrin edhe pronën private të qytetarëve të pamundur.
Portet Turistike: Zhupa pretendon se u japin oligarkëve porte private pa asnjë konkurrencë.
Korporata e Investimeve: Denoncohet si mjeti që do të përdoret për të dhënë me kulla prona si Pallati i Brigadave apo Pallati i Kongreseve.
Për deputeten demokrate, kjo strategji ligjore dëshmon se qeveria po ndjek një axhendë “anti-pronë” dhe “anti-europiane”, duke e larguar vendin nga standardet e kërkuara për anëtarësim.
