
Sir Keir Starmer u ka hedhur dorashkën kritikëve të tij, duke këmbëngulur para kabinetit se do vijojë si kryeministër dhe duke i sfiduar ata të nisin një garë formale për kreun.
“Partia Laburiste ka një proces për sfidimin e kreut dhe ai proces nuk është aktivizuar”, tha ai.
“Vendi pret që ne të vijojmë të qeverisim. Kjo është ajo që po bëj unë dhe ajo që duhet të bëjmë si kabinet.”
Komentet e Starmer, të publikuara nga Downing Street të martën, nënkuptojnë se ai po sfidon rivalët e tij të mbledhin 81 nënshkrimet e deputetëve laburistë të nevojshme për të nisur një garë për drejtimin e partisë.
Qëndrimi i tij sfidues erdhi pak pasi Miatta Fahnbulleh u bë ministrja e parë që dha dorëheqjen nga qeveria e tij e trazuar.
Fahnbulleh, ministre për Decentralizimin, shkroi në X: “I bëj thirrje kryeministrit të bëjë gjënë e duhur për vendin dhe Partinë dhe të përcaktojë një kalendar për një tranzicion të rregullt.”
Me më shumë se 70 deputetë laburistë që i kërkojnë Starmer të largohet, autoriteti i kryeministrit po zbehej me shpejtësi përpara mbledhjes së kabinetit.
Darren Jones, Sekretari kryesor i kryeministrit, tha: “Ai po dëgjon kolegët dhe po flet me kolegët. Nuk mund të paragjykoj ndonjë vendim që ai mund të marrë.”
Obligacionet qeveritare britanike ranë të martën, ndërsa Starmer luftonte për të shpëtuar postin e tij si kryeministër.
Yield-i i obligacioneve 30-vjeçare u rrit me 0.13 pikë përqindjeje në 5.80 për qind, niveli më i lartë që nga viti 1998, ndërsa presioni ndaj kryeministrit u shtua pas rezultateve katastrofike të Laburistëve në zgjedhjet lokale.
Sterlina ra me 0.6 për qind kundrejt dollarit, duke zbritur në 1.353 dollarë.
Starmer drejtoi mbledhjen e kabinetit në Downing Street duke e ditur se disa prej atyre që ishin ulur rreth tryezës duan që ai të shpallë një afat kohor për largimin e tij.
Yvette Cooper, ministrja e Jashtme, dhe Shabana Mahmood, ministrja e Brendshme, i kanë kërkuar të dyja Starmer të publikojë një plan për një tranzicion të rregullt drejt një kryeministri të ri.
Të hënën në mbrëmje, aleatët e tij thanë se ai ishte i vendosur të “luftonte”, por komenti i Jones për Times Radio sugjeroi se në nivelet më të larta ekzistojnë dyshime nëse kryeministri mund të vijojë.
Wes Streeting, ministri i Shëndetësisë, po synon postin më të lartë, por i ka premtuar Starmer se nuk do të nisë një sfidë për kreun.
Megjithatë, zhdukja e mbështetjes në një pjesë të madhe të grupit parlamentar dhe në disa pjesë të kabinetit mund të jetë e mjaftueshme për ta detyruar Starmer të largohet.
Pat McFadden, ministri i Punës dhe Pensioneve, dhe Steve Reed, ministri i Komuniteteve, kanë mbështetur që Starmer të qëndrojë, megjithëse disa kolegë të lartë, veçanërisht ministrja e Financave Rachel Reeves, kanë mbajtur një profil shumë të ulët që nga humbja elektorale e Laburistëve javën e kaluar.
Investitorët thanë se disa kërkesa nga krahu i butë i majtë i Laburistëve kanë shtuar presionin në tregje, përfshirë kërkesat e Grupit Tribune për ndryshime në objektivat e borxhit të Mbretërisë së Bashkuar.
Plani i grupit erdhi në një kohë kur fraksione rivale brenda Partisë Laburiste kanë nisur të paraqesin programe të detajuara politike, mes pritshmërive në rritje për një garë për lidershipin.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times