
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si u zhvillua mbledhja e sotme e këshillit, duke e konsideruar atë një proces “antikushtetues” dhe në kundërshtim me standardet demokratike.
Sipas Telitit, përfaqësuesve të opozitës iu ndërprenë mikrofonat dhe kamerat pikërisht në momentin kur pritej të paraqisnin amendamentet për reduktimin e taksave vendore.
Pas ndërprerjes së mbledhjes nga shumica socialiste, ai deklaroi se mazhoranca po shmang debatin dhe transparencën, ndërsa shtoi se seanca u mbyll me procedurë të përshpejtuar sapo fjala iu dha opozitës.
“Një këshill që është shndërruar në një grup kartonngritësish, të cilët mbyllin mbledhjen sapo opozita merr fjalën”, deklaroi Teliti.
“Sot u zhvillua sërish një mbledhje e një këshilli që ka dalë jashtë funksionit të tij normal. Është kthyer në një institucion ku nuk ka debat dhe ku përfaqësuesve të opozitës nuk u jepet mundësia të shprehen për çështjet e rendit të ditës. Ky këshill tashmë funksionon si një grup kartonngritësish, që në momentin kur opozita merr fjalën, votojnë menjëherë mbylljen e mbledhjes dhe kalimin direkt në procedurë votimi. Sot kishim për diskutim disa çështje me rëndësi të madhe për qytetarët e Tiranës. Mazhoranca nuk pranoi që të diskutohej për Eko Parkun dhe Eco Tiranën, ku parashikohet shtim fondi prej 9 milionë eurosh, ndërsa njëkohësisht i hiqet Këshillit Bashkiak kompetenca për të miratuar ndryshimet kontraktuale, duke ia kaluar këtë të drejtë ekzekutivit. Një ekzekutiv që, sipas modelit të Veliajt, sot përballet me SPAK-un dhe gjykatat, ndërsa qytetarët mbeten pa informacion se çfarë do të ndodhë me menaxhimin e mbetjeve dhe pastrimin e kryeqytetit.
Mazhoranca nuk pranoi as diskutimin mbi taksat dhe tarifat që rëndojnë mbi qytetarët e Tiranës. Ne kishim depozituar shtatë amendamente për uljen e barrës fiskale për familjarët, individët dhe bizneset dhe synonim t’i prezantonim sot. Ata nuk donin të dëgjonin për falimentimet e shumta që po prekin bizneset e Tiranës çdo ditë. Nuk donin të përballeshin me problemet e fermerëve, të cilëve, sipas tij, u jepen vetëm 6 mijë lekë subvencion në vitin 2026. Gjithashtu, opozita synonte të ngrinte shqetësimin për tjetërsimin e pronës publike pranë zonës së TEG-ut, ku sipas Telitit, prona publike po i jepet me qira klientëve të preferuar me justifikimin e funksioneve kulturore dhe arsimore.
Sipas tij, mazhoranca shmangu debatin edhe për problematikat e transportit urban dhe për zënien e hapësirave publike nga biznese të lidhura me klientelën e bashkisë. Ai akuzoi Policinë Bashkiake për standarde të dyfishta, duke ndërhyrë në disa zona dhe duke toleruar të tjera, si zona e ish-Bllokut.
“Pse nuk veprohet njësoj në çdo zonë të Tiranës? Pse tolerohen bizneset e lidhura me Bashkinë, ndërsa të tjerët penalizohen?”, u shpreh ai.
Teliti ngriti shqetësime edhe për çështje që lidhen me arsimin, çerdhet, kopshtet dhe shkollat me dy turne, duke akuzuar mazhorancën se i ndërpreu opozitës të drejtën e fjalës pasi kishte dëgjuar për dy orë diskutimet e saj.
Ai tha se mbyllja e mbledhjes përbën shkelje të Kushtetutës, ligjit për qeverisjen vendore dhe rregullores së Këshillit Bashkiak.
“Sot na mbyllën mikrofonat dhe kamerat, por opozita nuk do të heshtë. Së bashku me ekipin tonë të juristëve do t’i drejtohemi Prefektit të Tiranës, Gjykatës Administrative dhe Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur këtë mbledhje antikushtetuese dhe të paligjshme”, deklaroi Teliti.
Në përfundim, ai theksoi se prej konstituimit të Këshillit Bashkiak në qershor të vitit 2023, opozitës i janë mohuar vazhdimisht të drejtat, ndërsa shtoi se për të 35-in muaj radhazi është refuzuar ngritja e komisionit të kontrollit të brendshëm financiar.
“Sot u vërtetua edhe një herë se kanë frikë nga hetimi dhe transparenca”, përfundoi ai.