Vendosni fjalën kyçe....

“Protestat e Berishës nuk synojnë Ramën, janë kundër “armiqve” të brendshëm” – Salianji


Ish-deputeti Ervin Salianji ka komentuar edhe mënyrën se si po zhvillohen protestat opozitare, duke vënë në dyshim efektivitetin dhe qëllimin e tyre politik.

Sipas tij, çdo protestë që shpallet me objektiva si qeveri teknike apo rrëzimi i kryeministrit Edi Rama, nuk arrin rezultat real dhe mbetet vetëm në nivel deklarativ.

“Çdo protestë që organizojnë duke thënë se ka si objektiv qeverinë teknike apo rrëzimin e Ramës, e rrëzon vetëm në mendjen e vet. Kjo vetëm demotivon njerëzit. Ose protesta bëhet me një qëllim të caktuar, për të reaguar kundër korrupsionit dhe problemeve konkrete, ose humbet kuptimin”, u shpreh ai.

Salianji argumentoi se protestat e fundit, sipas tij, nuk synojnë realisht përballjen me qeverinë, por shërbejnë për dinamika të brendshme brenda Partisë Demokratike.

“Protesta që ka si qëllim politik largimin e Ramës dhe qeverinë teknike po zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Ajo protestë është kundër meje. Është rezistencë për të mos ndryshuar. Është protestë kundër të gjithë njerëzve që mendojnë se Sali Berisha nuk duhet të jetë kryetar”, deklaroi ai.

Ai shtoi gjithashtu se forma aktuale e organizimit të protestave, sipas tij, po i sjell më shumë përfitim qeverisë sesa opozitës.

“Ai është shërbimi më i madh që i bëhet qeverisë. Vret nervin e protestës dhe shpresën”, tha ish-deputeti.

Në përfundim, Salianji u shpreh se nëse lidershipi aktual i PD-së do të tërhiqej për një periudhë nga skena publike, qytetarët do të reagonin më fuqishëm ndaj qeverisë.

“Po të mos dilte fare lidershipi i PD-së dhe të rrinte dy muaj pa dalë në televizione, populli do të dilte vetë përpara qeverisë. Populli e kupton dhe e merr mesazhin”, përfundoi ai.