Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka publikuar pamje nga takimi me mbështetësit në Dibër, duke falënderuar demokratët për pritjen dhe mbështetjen, ndërsa theksoi se kërkesa për ndryshim po ndihet në të gjithë vendin.
“Mirënjohje për demokratët e Dibrës. Në çdo cep të Shqipërisë kërkohet ndryshim!”, shprehet ai në reagimin e tij, të shoqëruar me pamje nga takimi në Peshkopi.
Gjatë fjalës së tij, Salianji u shpreh se Partia Demokratike e Shqipërisë ndodhet në një moment kritik dhe nuk mund të rikthehet në pushtet pa ndryshuar fillimisht nga brenda. Ai theksoi se prej disa muajsh po zhvillon takime në të gjithë vendin për të mobilizuar bazën dhe për të nxitur një reformim të thellë të partisë.
Sipas tij, demokratët duhet të jenë ata që përzgjedhin figurat përfaqësuese, ndërsa kritikoi lidershipin aktual, duke e akuzuar për mbyllje dhe orientim drejt interesave personale. Ai u distancua gjithashtu nga qëndrimet e ashpra ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se PD nuk duhet të sulmojë aleatët.
Salianji theksoi se ndryshimi brenda partisë është kushti kryesor për të fituar besimin e qytetarëve dhe për të rikthyer opozitën në pushtet. Ai u shpreh se synimi është mobilizimi i mbi 800 mijë votuesve dhe rikthimi i asaj që e quajti “epërsia morale” e demokratëve.
Në vijim, ai ashpërsoi tonet ndaj kreut të PD-së Sali Berisha, duke deklaruar se lidershipi aktual nuk është më zgjidhje për partinë.
“Kjo parti nuk vazhdon dot më kështu. Nuk pretendojmë dot ndryshim për Shqipërinë kur nuk ndryshojmë dot veten”, tha ai, duke shtuar se qytetarët janë të pakënaqur me qeverinë, por nuk mbështesin drejtimin aktual të opozitës.
Në fund, Salianji paralajmëroi se lëvizja e nisur prej tij do të shtrihet edhe në Tiranë, duke theksuar se ai dhe mbështetësit e tij nuk do të tërhiqen përballë presioneve politike.
