Vendosni fjalën kyçe....

“Berisha nuk e sjell dot PD në pushtet”, Salianji: Çdo ditë në krye, humbje për opozitën dhe Shqipërinë


Ish-deputeti Ervin Salianji ka ashpërsuar qëndrimet ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës, duke deklaruar se opozita ndodhet në një moment kritik dhe se lidershipi aktual nuk është më zgjidhje për rikthimin në pushtet.

Gjatë një takimi me mbështetësit në qytetin e Peshkopisë, Salianji theksoi se opozita duhet të reflektojë fillimisht brenda vetes përpara se të kërkojë ndryshim për vendin.

“E vërteta është e thjeshtë, kjo parti nuk vazhdon dot më kështu. Nuk pretendojmë dot ndryshim për Shqipërinë kur nuk ndryshojmë dot veten”, u shpreh ai.

Sipas tij, Partia Demokratike po përballet me një krizë të thellë besimi, pasi qytetarët, megjithëse të pakënaqur me qeverinë dhe Edi Rama, nuk mbështesin drejtimin aktual të PD-së.

“Shqiptarët janë të pakënaqur me qeverinë dhe Edi Ramën, por në të njëjtat sondazhe nuk mbështesin lidershipin e PD. Kjo është e vërteta që duhet ta themi që ta shërojmë më pas”, deklaroi ai.

Salianji u shpreh prerë se Berisha nuk mund ta rikthejë Partinë Demokratike në pushtet.

“Sali Berisha nuk e sjell dot PD në pushtet, as sot, as nesër dhe as kurrë. Çdo ditë që ai qëndron në krye të PD është fitore personale për të, por humbje e madhe për PD-në, opozitën dhe Shqipërinë”, tha ai.

Në vijim, ai e akuzoi Berishën se po abuzon me besnikërinë e demokratëve dhe respektin për historinë e tij politike, ndërsa ngriti edhe çështjen e përgjegjësisë për humbjet e njëpasnjëshme të Partisë Demokratike ndër vite.

“Si është e mundur që PD humbi më thellë se zgjedhjet e vitit 1997? A mund të kalojë kjo pa përgjegjësi? Jo, jo dhe jo”, përfundoi Salianji.