Nga Peshkopia, Ervin Salianji ka lëshuar akuza të paprecedenta ndaj Sali Berishës, duke e cilësuar lidershipin e tij si pengesën kryesore për ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet.
Salianji denoncoi bllokimin e kandidimit të tij për drejtimin e partisë, duke pretenduar se kjo u bë në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë vendim formal, me qëllimin e vetëm për të shmangur një humbje të sigurt të Berishës në një garë të hapur.
Sipas ish-deputetit, mbyllja e garës nuk është vetëm një padrejtësi individuale, por një shërbim i drejtpërdrejtë që i bëhet kryeministrit Edi Rama duke deformuar vullnetin e demokratëve.
“Nuk u dha as e drejta minimale për të garuar sepse Sali Berisha e di, siç e di e gjithë Shqipëria, që me zgjedhje unë do ta mundja. Kur Sali Berisha nuk më mund dot mua duke patur listën, burimet financiare, mediat dhe regjimin, si do ta mundësh Edi Ramën o zotëri?!” deklaroi Salianji midis duartrokitjeve të mbështetësve.
Salianji e vuri theksin te mungesa e përgjegjësisë politike të Berishës, duke i kujtuar shkeljen e premtimeve për dorëheqje pas humbjeve elektorale. Ai e cilësoi lidershipin aktual si një grup “dinosaurësh” që po e tkurrin forcën politike deri në shuarje për të mbrojtur interesat e tyre personale.
“Në vend të hapjes kemi mbylljen, në vend të konkurrencës tentohet përjashtim. Po e tkurrin PD-në për interesa personale dhe me këtë rrugë do ta shuajnë, por ne nuk do ta lejojmë. Ky tranzicion do të marrë fund kur të ndryshojnë dinosaurët që mbajnë peng partinë.”
Në mbyllje të fjalës së tij, Salianji bëri thirrje për një reformim rrënjësor që përfshin lejimin e fraksioneve dhe respektimin e mendimit ndryshe, si e vetmja rrugë për të ndërtuar një përfaqësim real që mund të fitojë përballë mazhorancës aktuale.
