
Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit politik dhe bashkëpunimit ndërpartiak për vijimin e reformave integruese.
Gjatë aktiviteteve të organizuara në kuadër të Ditës së Evropës, Palatova deklaroi se Bashkimi Evropian pret që Kosova të krijojë një qeveri stabile dhe me shumicë të fortë parlamentare.
“Duhet të shohim një formim të shpejtë të institucioneve, me një qeveri që ka shumicë të fortë në kuvend, që ka aftësi të gjenerojë kompromise të shëndetshme ndërpartiake për të zgjedhur presidentin dhe të vazhdojë me reformat”, u shpreh ajo.
Sipas Palatovës, funksionaliteti institucional është thelbësor jo vetëm për jetën politike të vendit, por edhe për avancimin e proceseve integruese drejt BE-së dhe zbatimin e reformave të kërkuara nga agjenda evropiane.
Ajo ndaloi gjithashtu te karakteri shumetnik i Kosovës, duke e cilësuar atë një vlerë të rëndësishme për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Së treti, karakteri shumetnik i Kosovës është me vlerë të madhe për të gjitha shtetet tona anëtare. Të gjitha kryeqytetet tona vëzhgojnë ruajtjen e tij, angazhimin konstruktiv me të gjitha komunitetet shumicë, në mënyrë që të gjithë kosovarët, pavarësisht përkatësisë etnike, të ndiejnë se kanë një shtëpi dhe perspektivë këtu”, deklaroi Palatova.