
Të paktën 27 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një serie sulmesh ruse në lindje të Ukrainës, vetëm pak orë para hyrjes në fuqi të një armëpushimi të propozuar nga Kievi, përcjell DW.
Goditjet më të rënda u raportuan në Zaporizhzhia, ku të paktën 12 persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën pas një sulmi me bomba ajrore të drejtuara, të ndjekura nga dronë të tipit “Shahed”. Sipas autoriteteve vendore, sulmet vijuan edhe pasi ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje.
Në Kramatorsk, gjashtë persona humbën jetën dhe 12 të tjerë u plagosën nga bombardimet, ndërsa katër viktima u raportuan në Dnipro. Pesë persona të tjerë u vranë në rajonin e Poltavës pas një sulmi ndaj infrastrukturës së gazit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i cilësoi sulmet si “cinike dhe pa asnjë logjikë ushtarake”, duke akuzuar Moskën për intensifikim të dhunës në prag të armëpushimit.
Nga ana tjetër, edhe Ukraina ka vijuar goditjet brenda territorit rus para hyrjes në fuqi të armëpushimit, duke shënjestruar objekte të industrisë ushtarake dhe rafineri nafte.
Tensionet mbeten të larta, ndërsa Rusia ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet ndaj çdo përpjekjeje për të ndërprerë aktivitetet gjatë festimeve të 9 majit, dita e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Pavarësisht thirrjeve për paqe, luftimet mes dy vendeve vijojnë pa ndërprerje.