Vendosni fjalën kyçe....

Policia Rrugore forcon masat, mijëra gjoba dhe kontrolle të shtuara për shkeljet në trafik



Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, ka bërë të ditur një paketë të re masash të ndërmarra nga Policia e Shtetit për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Në një konferencë për mediat, ai u ndal te situata në rrugë pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër, duke theksuar se strukturat policore do të rrisin bashkëpunimin dhe intensitetin e kontrolleve në të gjitha akset rrugore dhe zonat urbane.

Sipas tij, gjatë periudhës së fundit janë evidentuar dhe ndëshkuar një numër i lartë shkeljesh të Kodit Rrugor. Konkretisht, 27 mijë drejtues automjetesh janë ndëshkuar për parakalime të gabuara, ndërsa rreth 60 mijë të tjerë për mosvendosje të rripit të sigurimit, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit ose drejtim motomjeti pa kaskë mbrojtëse. Po ashtu, mbi 82 mijë masa janë vendosur për shpejtësi mbi normat e lejuara, ndërsa 1,009 drejtues janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.

Ziu bëri të ditur gjithashtu se 815 drejtues mjetesh janë konstatuar pa asnjë pikë në lejen e drejtimit dhe do t’i nënshtrohen rikualifikimit dhe testimit nga e para.

Ai sqaroi se Policia Rrugore po operon me një mënyrë të re monitorimi, duke përdorur pajisje teknologjike si radarë, dronë, kamera, alkooltestues dhe drogëtestues. Sipas tij, shkeljet e konstatuara nga këto mjete do të procedohen dhe do të pasqyrohen në kohë reale përmes sistemit elektronik e-Albania.

Në akset rrugore nacionale, patrullat do të fokusohen në monitorimin e qarkullimit dhe evidentimin e shkeljeve përmes mjeteve logjistike, ndërsa ndërhyrjet direkte do të kryhen vetëm në rastet e sjelljeve agresive në rrugë, parakalimeve të rrezikshme, shpejtësisë ekstreme apo manovrave të rrezikshme.

Ndërkohë, në zonat urbane do të vijojnë kontrollet për alkoolin, përdorimin e celularit, rripin e sigurimit, kaskat mbrojtëse dhe parkimet e gabuara, përfshirë edhe përdorimin e mjeteve ngritëse për largimin e automjeteve të parkuara në mënyrë të parregullt.

Duke analizuar treguesit e 4-mujorit të vitit 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, Ziu tha se, pavarësisht një përmirësimi të lehtë, sjelljet agresive në rrugë vijojnë të mbeten shqetësuese dhe shpesh me pasoja fatale.

Në përmbyllje, Policia Rrugore i ka bërë apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, duke paralajmëruar se çdo shkelje apo sjellje agresive do të ndëshkohet maksimalisht, me qëllim rritjen e sigurisë së jetës në rrugë.