Vendosni fjalën kyçe....

Trump shpall “Project Freedom”: SHBA do të shoqërojë anijet në Ngushticën e Hormuzit



Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar nisjen e një operacioni të quajtur “Project Freedom”, përmes të cilit ushtria amerikane do të nisë që nga dita e hënë të shoqërojë anije të vendeve të ndryshme për t’i nxjerrë në mënyrë të sigurt nga Ngushtica e Hormuzit, përcjell Fox News.

Sipas Trump, kjo nismë synon të ndihmojë vendet dhe kompanitë që nuk janë të përfshira në konfliktin në Lindjen e Mesme, por që janë bllokuar për shkak të situatës së tensionuar në rajon.

Ai theksoi se shumë shtete i kanë kërkuar SHBA-së ndihmë për të liruar anijet e tyre, të cilat, sipas tij, janë “palë të pafajshme” në këtë krizë.

“Do të përdorim përpjekjet tona më të mira për t’i nxjerrë anijet dhe ekuipazhet e tyre në mënyrë të sigurt”, u shpreh Trump, duke shtuar se operacioni ka karakter humanitar dhe synon të lehtësojë situatën për vendet neutrale.

Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se disa prej anijeve janë në vështirësi, duke përfshirë mungesë furnizimesh bazë për ekuipazhet, çka e bën ndërhyrjen edhe më urgjente.

Ndërkohë, Trump deklaroi se SHBA është në diskutime “pozitive” me Iranin, duke lënë të hapur mundësinë për zhvillime diplomatike.

Megjithatë, ai paralajmëroi se çdo ndërhyrje ndaj këtij operacioni humanitar do të përballet me përgjigje të fortë.

Njoftimi vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet kritike për tregtinë ndërkombëtare dhe transportin detar.