Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona të dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, me një total prej rreth 12 vitesh burgim.
Aksioni u zhvillua në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeta”, i finalizuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Forcën e Posaçme Operacionale.
Në pranga ra Klodian Hoxha, 43 vjeç, i kapur në zonën e Laprakës, pasi Gjykata e Ankonës në Itali e ka dënuar me 8 vjet e 6 muaj burgim për “trafikim të lëndëve narkotike”. Për këtë shtetas, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën për finalizimin e procedurave të ekstradimit drejt Italisë.
Gjithashtu u arrestua edhe shtetasi me inicialet F. B., 26 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Policia bën të ditur se operacioni është rezultat i punës së mirëorganizuar dhe kërkimeve të bazuara në informacionet operative, me synim lokalizimin dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
