Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllet aeroporti i Prishtinës pas kërcënimit për bombë, evakuohen udhëtarët e personeli


Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ ka marrë një kërcënim me bombë të mërkurën në mëngjes. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.

Ajo ka thënë se janë evakuuar udhëtarët dhe personeli.

“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcënim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar dhe janë të sigurt. Ekipet e përfshira në planin emergjent janë duke kryer detyrat e tyre.” – ka bërë të ditur Gara, shkruan Koha.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se bëhet fjalë për kërcënim me mjet shpërthyes dhe se aeroporti është mbyllur përkohësisht për shkaqe sigurie.

“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë. Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin. Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve.” – thuhet në njoftimin e Policisë.