
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan të hënën pasdite se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore interceptuan tre raketa të lëshuara nga Irani, ndërsa një tjetër ra në det. Po ashtu, u raportua një zjarr në një impiant nafte në Fujairah pas një sulmi me dron, ku u plagosën tre shtetas indianë.
Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë iraniane, Amir Hatami, konfirmoi se vendi i tij kishte hapur zjarr për të “mbrojtur sigurinë e rajonit” për shkak të aktivitetit të anijeve amerikane në Ngushticën e Hormuzit. Pas deklaratës së tij, në Emiratet Arabe u aktivizuan sërish alarmet për sulme ajrore.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve tha: “Katër raketa u zbuluan duke iu afruar vendit nga Irani. Tre u interceptuan me sukses mbi ujërat territoriale, ndërsa e katërta ra në det.”
Deklarata shtoi se zhurmat e dëgjuara në pjesë të ndryshme të vendit ishin rezultat i neutralizimit të kërcënimeve ajrore dhe u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin vetëm burime zyrtare dhe udhëzimet e sigurisë.

Hatami konfirmoi sulmin me raketa: “Çdo pëllëmbë e këtyre ujërave është nën kontrollin tonë. Anijet amerikane menduan se po i afroheshin Ngushticës së Hormuzit duke fikur radarët, por përgjigjja jonë ishte të hapnim zjarr. U lëshuan raketa lundruese dhe dronë. Siguria e këtij rajoni është vijë e kuqe për Iranin.”
Më herët gjatë ditës, Emiratet akuzuan Iranin se kishte qëlluar ndaj një cisterne në pronësi të një kompanie nga Emiratet që po përpiqej të kalonte përmes Ngushticës së Hormuzit, pa specifikuar kohën e incidentit.
Para këtij njoftimi, Koreja e Jugut bëri të ditur se shërbimet e saj të inteligjencës po verifikonin nëse një anije e saj ishte goditur nga zjarr raketor në Gjirin Persik, por nuk ka ende konfirmim zyrtar nëse bëhet fjalë për të njëjtin incident.

Ngjarjet ndodhin në një klimë tensionesh në rritje në Gjirin Persik, ku Irani pretendoi se kishte qëlluar ndaj një shkatërruesi amerikan. Nga ana tjetër, ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaroi se asnjë anije nuk është goditur dhe se dy anije tregtare të shoqëruara nga Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) kanë kaluar me sukses Ngushticën e Hormuzit. Irani, megjithatë, këmbënguli se bllokada e tij nuk është thyer dhe se asnjë anije nuk ka kaluar.
Ndërkohë, zëdhënësi i Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftoi zgjatjen e masave aktuale të sigurisë civile deri të enjten në orën 20:00. Sipas udhëzimeve, aktiviteti normal vazhdon në pjesën më të madhe të vendit, me përjashtim të zonave pranë vijës së përballjes në veri dhe disa komuniteteve specifike, ku tubimet janë të kufizuara, shkruan Ynet.