Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi nis me 1 minutë heshtje për 2 fëmijët që humbën jetën në aksidentin në Durrës


Seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvend ka nisur me një minutë heshtje në nderim të dy fëmijëve që humbën jetën tragjikisht në aksidentin rrugor të ndodhur një ditë më parë në Durrës.

“Engjëjt u prehshin në paqe”, u shpreh zv.kryetarja e Kuvendit, Klodjana Spahiu, ndërsa momenti i homazhit u shoqërua me emocione të forta në sallë.

Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 14:20 në lagjen nr. 15 të Durrësit, e njohur si ish-Këneta. Sipas të dhënave paraprake, tre fëmijë po luanin në trotuar, kur një automjet tip “Benz ML”, që dyshohet se lëvizte me shpejtësi të lartë, humbi kontrollin dhe i përplasi.

Përplasja rezultoi fatale për dy prej tyre, Eneo Muca, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Një tjetër i mitur mbeti i plagosur dhe po merr trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Sipas hetimeve paraprake, goditja ka qenë me intensitet të lartë, ndërsa pas aksidentit automjeti është përplasur edhe me një mjet tjetër të parkuar në zonë.

Drejtuesi i automjetit, 57-vjeçari Nikoll Radaçi, është arrestuar nga policia dhe dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes.

Ngjarja bëhet edhe më e rëndë për shkak të rrethanave familjare të njërës prej viktimave, pasi njëri nga fëmijët jetonte pa prindërit, të cilët ndodheshin në Itali për arsye shëndetësore.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.