Vendosni fjalën kyçe....

“Xhama të thyer, zjarr dhe granata” – Policia e Kosovës jep detaje për incidentet në Zubin Potok dhe Zveçan (FOTO)


Policia e Kosovës ka publikuar informacionin zyrtar për sulmin në Zubin Potok, ku është djegur Qendra për Regjistrim të Automjeteve.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur pas mesnate, ku fillimisht zjarri ka përfshirë ambientet përdhese të ndërtesës dhe ka dyshime se ka prekur dhe ambientet e qendrës së Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe Bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës.

Me datë, 25.09.202, rreth orës 01:05, u pranua informacioni se kishte ndodhur ZJARR në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut.

Informacioni në lidhje me këtë incident u pranua nga personeli i sigurisë së ndërtesës.

Komuna Z. Potok pas mesnate rreth orës 01:00. Patrullat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje, dhe të gjitha njësitë përkatëse, si dhe zjarrfikësit nga Z. Potoku.

Sipas informacioneve të para, supozohet se zjarri ka përfshirë ambientet përdhese të ndërtesës dhe ekziston dyshimi se ka prekur ambientet e qendrës së Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe Bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës.

Zjarri u lokalizua rreth orës 02:00, dhe të gjitha njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës ishin të pranishme në vend, si dhe Njësia Rajonale e Hetimit – Mitrovicë – Veri. Ne vend ngjarje doli Inspektori i Zjarrit (PPZ), per gjithçka që ndodhi u njoftua edhe Prokurori kujdestar.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.”- ka njoftuar Policia.

Një deklaratë shtesë u publikua dhe për Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, ku thuhet se është thyer dera dhe xhamat e godinës dhe se brenda është hedhur edhe një granatë dore. Pas një kontrolli, më pas janë konfirmuar se ishin hedhur dy mjete shpëthyese.

 “Me datë, 25.09.2021, rreth orës 08:45, u pranua informata se në ndërtesën ‘INTEL’ në

Zveçan, ku ndodhet Qendra e Regjistrimit është thyer dera.

Në vend ngjarje ka dal njësiti patrullues nga (SP) Zveçan, njësitë relevante si dhe njësiti hetimor i forenzikës, ku konstatuan se në objektin e përmendur është thyer një xham i vitrinës, ku brenda objektit është vërejtur një mjet i pa eksploduar granatë dore, e zezë, e llojit të panjohur. Ekipi i EOD-së u informua, i cili doli në vendin e ngjarjes në 09:55, dhe pas kontrollimit të objektit, u gjetën dy mjete shpërthyese, të cilat ekipi i EOD-së i asgjësoi në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili cilësoi rastet si vepra penale ‘Posedim, kontrollim i pa autorizuar i armëve’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’

Lidhur me rastin hetimet janë duke vazhduar.”- thotë njoftimi.

Incidenti ndodhi në të gjashtën ditë të bllokimit të pikave kufitare në veri të Kosovës, pas hyrjes në fuqi të reciprocitetit të targave.