Tragjedia e ndodhur në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, rikthen në vëmendje një problem të vazhdueshëm në vend, aksidentet rrugore dhe pasojat e tyre të rënda.
Të dhënat e pesë viteve të fundit tregojnë një situatë shqetësuese, ku pavarësisht luhatjeve të numrit të aksidenteve, bilanci i viktimave mbetet i lartë. Madje, viti 2025 rezulton më fatali i kësaj periudhe.
Në vitin 2021 u regjistruan 1376 aksidente rrugore, ku 197 persona humbën jetën. Një vit më pas, në 2022, aksidentet ranë në 1165 dhe viktimat në 164, duke shënuar nivelin më të ulët të pesë viteve.
Por trendi ndryshoi në vijim. Në vitin 2023 u regjistruan 1285 aksidente dhe 192 viktima, ndërsa në 2024 numri i aksidenteve arriti kulmin me 1666 raste, edhe pse numri i viktimave ishte më i ulët, me 175 të vdekur.
Situata u përkeqësua ndjeshëm në vitin 2025, kur, megjithëse aksidentet ranë në 1375, numri i viktimave arriti në 200, duke e bërë vitin më fatal të periudhës 2021–2025.
Shqetësim mbeten edhe rastet e aksidenteve të shkaktuara nga drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, të cilat kanë shënuar rritje ndër vite.
Ndërkohë, edhe shifrat e para të vitit 2026 nuk japin sinjale pozitive. Vetëm në tre muajt e parë janë regjistruar 282 aksidente, me 391 persona të vrarë dhe të plagosur.
Këto të dhëna tregojnë se rrugët në Shqipëri vijojnë të mbeten një nga rreziqet kryesore për jetën, ndërsa çdo aksident fatal rikthen të njëjtën pyetje: a po bëhet mjaftueshëm për të parandaluar këto tragjedi?
