
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Remove” në Tiranë, duke zbardhur 6 raste të vjedhjes së motomjeteve të ndodhura gjatë dy muajve të fundit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar një shtetas 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar si autor i këtyre vjedhjeve.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se vidhte motomjete, i çmontonte në pjesë dhe më pas i shiste, kryesisht në subjekte që tregtojnë pjesë këmbimi automjetesh. Nga verifikimet rezulton se gjatë muajve mars dhe prill 2026 ka kryer 6 vjedhje të tilla.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka sekuestruar pjesë të ndryshme motomjetesh që dyshohet se janë të vjedhura.
Në vijim të operacionit, është proceduar penalisht edhe një shtetas tjetër 39 vjeç, i dyshuar për përvetësim të një motomjeti dhe pjesëve të marra nga i arrestuari.