Vendosni fjalën kyçe....

Situata kaotike në Kakavijë, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka një thirrje për Lleshajn e Cakajn


Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, ka reaguar lidhur me situatën kaotike të krijuar prej disa ditësh në Kakavijë.

Gajda thotë se po e ndjek me shqetësim këtë situatë dhe u bën thirrje Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme, që të marrin masa të përkohshme për kalimin e menjëhershëm të kufirit për personat që kanë probleme me shëndetin, të moshuarit, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara.

“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi po ndjek me shqetësim situatën në pikën kufitare të Kakavijës, që për shkak të marrjes së masave anti COVID19, ka shkaktuar vonesa e vështirësi në kalimin e qytetarëve shqiptarë në Republikën e Greqisë.

Radhët e gjata, temperaturat e larta dhe mungesën e shërbimeve të higjenës e ndjejnë më shumë të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, si dhe njerëzit me probleme me shëndetin.

Në këtë kontekst, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxit Ministrinë e punëve të Brendshme dhe të Jashtme të marrin masa pozitive të përkohshme për familjet që kanë në brendësi këto kategori, për kalimin e menjëhershëm të kufirit.”- thuhet në reagimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Një tjetër apel i zotit Gajda, është që këto dy ministri që aktualisht drejtohen nga Sandër Lleshaj (ministri i Brendshëm) dhe Gent Cakaj (ministri i Jashtëm në detyrë), të ndërmjetësojnë me autoritetet greke.

“Po kështu, ministritë të ndërmjetesojnë me autoritetet greke për rritjen e numrit të personave që kalojnë kufirin, për t’iu përgjigjur situatës së pazakontë në pikën kufitare të Kakavijës.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerëson rëndësinë e masave pozitive të përkohshme, në përputhje me protokollet e OBSH për luftimin e pandemie COVID19, për të gjetur një pikë mirëkuptimi me qytetarët dhe autoritetet.”– thotë më tej zoti Gajda.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *