
Qeveria e kryeministrit holandez Rob Jetten, në qendër, po përgatitet të ndryshojë, por jo të braktisë, një sistem të ri tatimor
Holanda po përgatitet për një taksë të re mbi fitimet, duke nxitur kundërshtime publike dhe politike dhe duke hapur një tjetër front në përpjekjet ndërkombëtare për të shënjestruar të pasurit.
Nga viti 2028, investitorët individualë do duhet të paguajnë një tarifë prej 36% çdo vit mbi rritjen e vlerës së aseteve si aksionet, obligacionet dhe kriptomonedhat, edhe nëse nuk i kanë arkëtuar ato investime. Disa mund të duhet të paguajnë për fitime që mund të jenë zhdukur deri në momentin kur vijnë faturat e taksave, ose të detyrohen të shesin pjesë të portofolit për të kryer pagesat.
Kritikët thonë se Holanda – vendlindja e bursës dhe pararendësja e bankës qendrore moderne – rrezikon të dekurajojë investimet individuale. Ata paralajmërojnë se disa qytetarë mund të emigrojnë, ndërsa startup-et dhe punonjësit e huaj mund të zhvendosen ose të zgjedhin të mos vijnë fare.
Ndryshimi i taksave do shkaktojë “dëme kolaterale me shtrirje të gjerë,” tha Jitse Groen, themeluesi i Just Eat Takeaway.com NV.
“Në formën e tij aktuale, ai rrezikon ta bëjë Holandën efektivisht të painvestueshme.”
Duke kërkuar të forcojnë bilancet shtetërore, qeveritë në të dy anët e Atlantikut po ndjekin politika për taksimin e të pasurve. Disa ndryshime kanë shtyrë taksapaguesit e pasur të largohen, përfshirë taksat më të larta mbi pasurinë në Norvegji dhe fundin e trajtimit preferencial për banorët e Britanisë së Madhe me status “non-domiciled”.
Në rastin holandez, plani përmbyll vite të tëra debatesh ligjore mbi mënyrën se si duhen taksuar kursimet dhe investimet. Regjimi i pazakontë tatimor i vendit tashmë fokusohet te fitimet në letër në vend të fitimeve kapitale. Por nën sistemin aktual “urë”, taksapaguesit mund të zgjedhin opsionin më të favorshëm mes fitimeve reale ose atyre imagjinare.
Trazirat kërcënojnë të dëmtojnë reputacionin e kahershëm për bërjen e politikave ekonomike të matura. Holanda, një nga vendet e pakta që ruajnë vlerësimin maksimal të kredisë “triple-A”, është goditur nga paqëndrueshmëria politike vitet e fundit.
Qeveria e kryeministrit Rob Jetten i merr seriozisht shqetësimet rreth taksës së planifikuar dhe po hulumton opsione për të përmirësuar sistemin, tha një zëdhënës i Ministrisë së Financave. Propozimet do prekin vetëm taksapaguesit individualë holandezë dhe tashmë përfaqësojnë një përmirësim ndaj sistemit aktual, veçanërisht për kursimtarët dhe investitorët e pasurive të paluajtshme, shtoi zëdhënësi.

Bursa e Amsterdamit në fillim të shekullit të 17-të
“Gjëja më idiote”
Reagimi ndaj taksës ka qenë i gjerë, e cila do zbatohej për fitimet vjetore mbi pragun modest prej 1,800 eurosh. Taksa do mbulonte rritjen e vlerës dhe të ardhurat nga asetet gjatë një viti kalendarik.
Një peticion kundër ligjit mblodhi më shumë se 61,000 firma. Shoqata Holandeze e Këshilltarëve Tatimorë tha se nuk njihte asnjë vend tjetër perëndimor që takson fitimet e parealizuara. Ajo paralajmëroi se kjo mund ta vendoste Holandën në një disavantazh konkurrues dhe të çonte në taksim të dyfishtë.
Sipërmarrësit si Groen kanë qenë ndër kritikët më të ashpër. Kreu i Shopify, Tobi Lütke, e quajti propozimin në shkurt “gjënë më idiote që ndonjë qeveri në planet po ndjek aktualisht.”
Sistemi është kundërproduktiv, tha inxhinieri civil Martijn Hovestad, duke vënë në dukje raportin e Mario Draghi-t të vitit 2024 mbi konkurrueshmërinë evropiane, i cili rekomandonte nxitjen e investimeve në tregjet e kapitalit të kontinentit.
“Nuk jam kundër taksave të arsyeshme… por metoda që propozojnë është e çuditshme. Të taksojnë sikur i ke paratë në dorë, por nuk i ke.”
Një sondazh i ING në mars zbuloi se 9% e investitorëve privatë po merrnin më pak rreziqe, dhe rreth tre të katërtat thanë se mund të rregullojnë strategjitë e tyre të investimit kur sistemi i ri të hyjë në fuqi.

Senatorët i kanë shkruar Eelco Eerenberg, ministrit holandez të taksave, me një sërë pyetjesh në lidhje me ligjin e propozuar
Gjykata e Lartë
Përplasja i ka rrënjët në sistemin aktual tatimor. Shumë vende taksojnë fitimet kapitale, ose fitimet reale që realizohen kur investimet shiten. Sistemi holandez, në vend të kësaj, mbështetet në rritjet e supozuara të vlerës së një portofoli.
Në vitet e mira, fitimet i kalonin lehtësisht normat e supozuara, prandaj disa e quanin këtë kategori si “kuti qejfi”. Por taksat duheshin paguar edhe në vitet kur tregu binte, gjë që ishte veçanërisht e dhimbshme gjatë epokës së normave negative të interesit.
Në dhjetor 2021, Gjykata e Lartë Holandeze vendosi se ky sistem shkelte ligjin për të drejtat e njeriut. Qeveria vlerëson se mund të detyrohet të kthejë deri në 16.6 miliardë euro si dëmshpërblim për vitet deri në 2027.

Ligjvënësi holandez Henk-Jan Oosterhuis e quajti taksën e planifikuar një “përbindësh të Frankensteinit” fiskal
“Përbindëshi i Frankenstein-it”
Administrata e Jetten thotë se është shumë vonë për të menduar një rishikim total të sistemit të propozuar para datës së planifikuar të fillimit, më 1 janar 2028. Shtyrja e këtij ndryshimi mund të kushtojë 2.4 miliardë euro në të ardhura vjetore.
Për momentin, administrata po eksploron ndryshime në dy fusha: lehtësimin tatimor për humbjet dhe trajtimin e startup-eve. Megjithatë, investitorët do duhet të mësohen me atë që ligjvënësi Henk-Jan Oosterhuis e ka quajtur një “përbindësh fiskal të Frankenstein-it”. Disa dyshojnë se qeveria do t’i përmbahet premtimeve për të kaluar përfundimisht në një taksë standarde mbi fitimet kapitale.
“Asgjë nuk është aq e përhershme sa një ligj i përkohshëm,” tha ligjvënësi Michiel Hoogeveen gjatë debatit në parlament, shkruan Bloomberg.