
Elita e biznesit të Hungarisë po distancohet nga rrjeti i pushtetit të Viktor Orbán-it, me disa që po largohen nga vendi dhe po mbrojnë pasuritë e tyre, ndërsa të tjerë po zotohen të bashkëpunojnë me kryeministrin e ardhshëm.
Péter Magyar – një ish-pjesëtar i brendshëm i regjimit, i cili u kthye kundër Orbán në vitin 2024 – ka premtuar se do ndjekë zyrtarët dhe udhëheqësit korporatvë të akuzuar për korrupsion si pjesë e të ashtuquajturit “sistem i bashkëpunimit kombëtar”, i krijuar për të shpërblyer besnikët e Orbán-it.
“Disa familje oligarkësh janë larguar tashmë,” tha Magyar të dielën, duke iu referuar dhëndrit të Orbán-it dhe djalit të një prej këshilltarëve të tij më të ngushtë ekonomikë. Familje të tjera “oligarkësh me ndikim kanë tërhequr tashmë fëmijët e tyre nga shkolla dhe po organizojnë personel sigurie të besueshëm për largimin e tyre”.
Kryeministri i ardhshëm tha se kishte “informacione të sakta” për transferta financiare me vlerë të lartë jashtë vendit nga njerëz të afërt me ministrin e propagandës dhe shërbimit sekret të Orbán-it, Antal Rogán. Rogán nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Magyar tha gjithashtu se miku i fëmijërisë i Orbán-it dhe njeriu më i pasur i Hungarisë, Lorinc Mészáros, po planifikonte të “fluturonte për në Dubai” me familjen e tij “në ditët në vijim”.
Mediat lokale raportuan se Mészáros ka filluar transferimin e parave nga llogaritë e tij korporative në ato private, duke lënë disa operacione pa likuiditet. Financial Times nuk mundi t’i verifikonte këto raporte. Mészáros nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Kompania e tij, Mészáros Group, njoftoi të hënën se i kishte dërguar Magyar-it një letër “me qëllim dhënien e informacionit të saktë dhe zgjidhjen e situatës së tensionuar që është krijuar”.

Ádám Matolcsy, në qendër, qesh së bashku me István Tiborcz, djathtas dhe një tjetër bashkëpunëtor i ngushtë biznesi në Festivalin Sziget 2017
Në fillim të këtij muaji, Magyar shënjestroi Ádám Matolcsy-n, djalin e këshilltarit ekonomik afatgjatë të kryeministrit në largim, ministrit dhe guvernatorit të Bankës Qendrore, Gyorgy Matolcsy. Kompanitë dhe bashkëpunëtorët e Adám-it akuzohen për përvetësimin e më shumë se 1 miliard eurove nga banka qendrore gjatë një dekade – gjë që mund të implikojë babanë dhe djalin. Të dy e mohojnë fajësinë.
Zyra Shtetërore e Auditimit e Hungarisë vitin e kaluar shqyrtoi humbjet e pashpjegueshme në fondacionet e krijuara nga Banka Qendrore gjatë mandatit të Gyorgy-t. Auditorët zbuluan se miliarda forintë nga pasuritë e fondacioneve ishin transferuar në kompani në pronësi të një miku të djalit të guvernatorit.
Prokurorët e morën rastin në dorë vetëm pas zgjedhjeve, gjë të cilën Magyar e quajti “shumë pak dhe shumë vonë”.
Gyorgy dha dorëheqjen si guvernator i Bankës Qendrore në fund të mandatit të tij vitin e kaluar. Djali i tij u zhvendos në Dubai në muajt para zgjedhjeve.
Magyar tha se qeveria e tij do t’u kërkojë autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe të ekstradojnë Ádám-in, duke përdorur edhe “masa shtrënguese nëse do jetë e nevojshme”. Emiratet Arabe nuk kanë marrëveshje ekstradimi me Hungarinë.
Ádám tha për FT se do “bashkëpunonte plotësisht” me autoritetet, duke shtuar: “Nuk i takon politikanëve apo gazetarëve të vendosin se kush duhet të ndiqet penalisht dhe për çfarë… të ardhurat e mia vijnë nga një sipërmarrje ligjore dhe transparente.”
“Asnjë nga kompanitë e mia nuk ka asnjë lidhje me fondacionet e Bankës Qendrore,” tha ai. Ádám shtoi se kishte një leje qëndrimi në Emirate prej vitesh “për shkak të punës sime”. Çdo eksport drejt EBA-s ishte i lidhur me kompaninë e tij të mobilieve, shtoi ai.
“Pretendimi se kam transportuar sende personale me vlerë të konsiderueshme në Dubai është thjesht i pavërtetë.”

István Tiborcz, një nga njerëzit më të pasur të Hungarisë, planifikon të mbajë aktivitetet e tij të biznesit në vend
Anëtarë të shquar të rrjetit të pushtetit të Orbán-it gjithashtu janë larguar nga vendi, veçanërisht dhëndri i tij István Tiborcz, i cili u zhvendos në Nju Jork me familjen e tij vitin e kaluar pasi gruaja e tij — vajza e Orbán-it, Ráhel — filloi studimet atje.
Tiborcz, një nga 10 njerëzit më të pasur të Hungarisë, tha për FT përmes një zëdhënësi se planifikonte të mbante aktivitetet e tij të biznesit në Hungari përmes mjetit të tij të investimeve BDPST, i cili është aktiv në financë, logjistikë, pasuri të paluajtshme dhe turizëm.
“Grupi do vazhdojë të kontribuojë në ekonominë hungareze dhe… mbetet i përkushtuar ndaj pranisë së tij afatgjatë në Hungari,” tha zëdhënësi. Tiborcz nuk iu përgjigj pyetjeve nëse planifikonte të kthehej në Hungari. Ashtu si Ádám Matolcsy, ai tha se kompania e tij do të “bashkëpunonte plotësisht” me autoritetet.
Magyar tha se do ngrinte dhe forconte agjencitë kundër korrupsionit dhe do rishikonte marrëveshjet kryesore të prokurimit — një kusht kyç për zhbllokimin e dhjetëra miliarda eurove të fondeve të BE-së, të pezulluara nga Brukseli për shkak të shqetësimeve rreth korrupsionit dhe erozionit të të drejtave demokratike nën Orbán-in.
“Nëse dikush ka vjedhur nga pasuria kombëtare, qoftë dhëndri i Viktor Orbán-it, apo Lorinc Mészáros ose Ádám Matolcsy, atëherë ata duhet të japin llogari për ato para dhe të përballen me pasojat,” tha Magyar në një konferencë shtypi javën e kaluar.
Kryeministri i ardhshëm premtoi të çlirojë sipërmarrësit nga detyrimet e vendosura nën sistemin e Orbán-it, siç ishte nevoja për të zgjedhur nënkontraktorë nga rrethi i tij i miqve ose për t’ua dorëzuar kontratën atyre tërësisht.
“Qofshin sipërmarrës të vegjël apo të mëdhenj, ata do çlirohen…për të marrë përsipër punë në kushte normale konkurruese të tregut, dhe fitimet do mbeten tek ata në vend që t’u kalojnë të tjerëve. Pra, ata nuk kanë asgjë për të frikësuar,” tha Magyar.

István Tiborcz, një nga njerëzit më të pasur të Hungarisë, planifikon të mbajë aktivitetet e tij të biznesit në vend
Ekzekutivët e biznesit që kishin pasur marrëdhënie me sistemin e Orbán-it ndryshuan qëndrim në pritje të ndryshimit të regjimit.
Manjati i kamionëve Gyorgy Wáberer, një ish-i emëruar i qeverisë në organe shtetërore, shiti pjesën e tij të mbetur në ish-kompaninë e tij, Waberer’s Group, te dhëndri i Orbán-it në vitin 2023 dhe u fokusua në investime të tjera në shëndetësi dhe pasuri të paluajtshme. Disa ditë para zgjedhjeve, me Partinë Tisza të Magyar-it që kryesonte sondazhet, ai u deklarua pro ndryshimit të regjimit.
“Ju do vendosni nëse i përkisni Evropës apo rusëve,” shkroi ai në rrjetet sociale. Në natën e zgjedhjeve, Wáberer piu shampanjë me Magyar-in në atë që ai e quajti “një nga ditët më të lumtura të jetës sime”.
Një tjetër investitor që u distancua nga sistemi i Orbán-it është Dániel Jellinek, i cili bleu pjesë në Waberer’s Group në vitin 2020. Dhëndri i Orbán-it, Tiborcz, gjithashtu zotëronte aksione në atë kompani për disa vite. Jellinek i shiti gjithashtu prona të rëndësishme Tiborcz-it, duke përfshirë hotele luksoze historike në Budapest.
Jellinek ndërtoi kompaninë e tij të pasurive të paluajtshme dhe kapitalit privat, Indotek, para se Orbán të merrte pushtetin në vitin 2010. Ai tha se ndaloi së bëri biznes me anëtarët e regjimit në vitin 2024, kur shiti aksionet e tij në Waberer’s Group, dhe që atëherë është fokusuar në zgjerimin në Evropë.
Në natën e zgjedhjeve, tha Jellinek, telefoni i tij u ndez nga dhjetëra mesazhe nga “investitorë të mëdhenj institucionalë, zyra familjare, kapital privat, njerëz me të cilët kishim bërë biznes në të kaluarën, të cilët të gjithë donin të ktheheshin”.
“Ka një hapësirë të madhe për marrëveshje të kapitalit privat…Hungaria është e lirë. Investitorët dikur qëndronin larg sepse kishte një rrezik shtesë shtetëror të përfshirë,” tha ai, duke iu referuar klimës së politizuar të biznesit nën Orbán-in.
“Vendosa gjithashtu të filloj të kërkoj përsëri asete hungareze.”

Bankieri Sándor Csányi tha se nuk kishte pse të kishte frikë nga qeveria e ardhshme, ndryshe nga “ata që morën punë pa tendera të saktë”
Sándor Csányi, i cili ka kryesuar bankën më të madhe të vendit OTP për më shumë se 30 vjet dhe ka ndërtuar një perandori të madhe agrobiznesi, e ka konsideruar prej kohësh Orbán-in si mik. Csányi kryeson shoqatën kombëtare të futbollit, sporti i preferuar i Orbán-it, dhe ndonjëherë e dërgonte kryeministrin në ndeshje ndërkombëtare me avionin e tij privat.
Bankieri sugjeroi se nuk kishte asgjë për të frikësuar, ndryshe nga “ata që morën punë pa tendera të rregullt”.
“Ne do formojmë një bashkëpunim konstruktiv me çdo administratë,” tha ai. Sistemi i Orbán-it, shtoi Csányi, do “zhduket nga ekonomia…thjesht duke rivendosur kushtet normale të tregut. Mund të bëhet shumë, shumë lehtë. Duhet vetëm të merren vendimet e duhura”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times