
Ish-kryeministri Alexis Tsipras publikoi të premten një manifest të gjatë politik mbi bashkimin e atyre që ai i përcaktoi si shtyllat kryesore të politikës së majtë, në një tregues të asaj që partia e tij e planifikuar politike mund të përfaqësojë.
Në një postim në rrjetet sociale, Tsipras tha se manifesti mbi mënyrën se si e majta mund të kthehet në qeverisje në Greqi — i hartuar nga një grup pune në Institutin e tij “Alexis Tsipras” — fokusohet në “bashkimin e tre rrymave kryesore në të majtën bashkëkohore: Socialdemokratët, të Majtën Radikale dhe të Gjelbrit”.
Në krye të partisë së majtë radikale SYRIZA, Tsipras erdhi në pushtet në kulmin e krizës financiare të Greqisë në mars 2015, duke premtuar të anulonte masat e urryera të kursimit të vendosura nga kreditorët ndërkombëtarë si pjesë e marrëveshjes së shpëtimit të vendit.
Në vend të kësaj, ai u detyrua të vendoste masa të reja kursimi për të siguruar një paketë të re shpëtimi. Tsipras fitoi zgjedhjet e reja në shtator 2015, por dështoi të rizgjidhej katër vjet më vonë dhe dha dorëheqjen nga udhëheqja e partisë së tij pasi populliteti i SYRIZA-s u rrokullis.
Ai ka lënë të kuptohet se do të formojë një parti të re politike në kohë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të caktuara për vitin 2027. Një sondazh i “Metron Analysis” i publikuar të mërkurën zbuloi se deri në 11% e të anketuarve do të votonin “shumë mundësisht” për një parti të re të udhëhequr nga Tsipras.
Tsipras tha të premten se qëllimi kryesor i manifestit të ri “është të rinovojë diskursin politik dhe të krijojë një kuadër koheziv parimesh dhe drejtimesh që do të mbrojnë gjithçka që na përket si e përbashkët, duke formuar një alternativë bindëse ndaj dominimit të neoliberalizmit dhe të djathtës ekstremiste”.
Vetë dokumenti argumentoi se një seri krizash të njëpasnjëshme gjatë 15 viteve të fundit — të cilat i përcaktoi si “financiare, shëndetësore, energjetike, mjedisore dhe institucionale” — kanë prekur thellë kuptimin e publikut për shtetin, ekonominë dhe politikat demokratike. Si rezultat, thuhet aty, shumica e grekëve po kërkojnë “një shtet që garanton drejtësi dhe mirëqenie”.
“Kjo shumicë sociale e qytetarëve progresivë aktualisht po kërkon përfaqësimin e saj politik,” vëzhgon dokumenti, dhe bën thirrje për bashkimin (confluence) e Socialdemokratëve, të Majtëve Radikalë dhe të Gjelbërve si “një domosdoshmëri politike vendimtare” — duke i bërë thirrje efektivisht opozitës kryesore Socialiste PASOK, mbetjeve të SYRIZA-s (që përfshin një element të fortë të Gjelbër) dhe partive të tjera më të vogla të shkëputura, shkruan Ekathimerini.
Socialdemokratët, thuhet aty, duhet “të largohen nga logjika e thjeshtë e menaxhimit” dhe t’i bashkohen të majtës radikale në luftën kundër pabarazisë dhe korrupsionit, ndërsa kjo e fundit duhet të formulojë politika “realiste dhe praktikisht të zbatueshme” për një model të ri prodhimi dhe reforma institucionale. Të Gjelbrit, argumenton ai, “duhet t’i bashkohen bërthamës së një modeli të ri rritjeje që do të kombinonte qëndrueshmërinë, sigurinë energjetike dhe drejtësinë sociale”.
Në një referencë të mundshme ndaj përvojës së tij në qeveri, dokumenti thekson: “Ne nuk jemi të pagabueshëm, por në të njëjtën kohë jemi krenarë për të kaluarën tonë dhe betejat tona. Por mbi të gjitha jemi të interesuar për të tashmen dhe të ardhmen e bashkëqytetarëve tanë.”