
Greqia do pushojë së qeni vendi më i zhytur në borxhe në eurozonë deri në fund të këtij viti, pasi borxhi i saj publik do bjerë nën atë të Italisë, sipas dy burimeve dhe të dhënave nga plani buxhetor i Italisë.
Borxhi i Greqisë pritet të bjerë në rreth 137% të prodhimit të brendshëm bruto këtë vit, nga 145.9% në vitin 2025, thanë për Reuters dy zyrtarë të lartë.
Në kontrast, Italia pret që borxhi i saj të arrijë kulmin në 138.6% në vitin 2026, duke u rritur me 1.5 pikë përqindje nga 137.1% e PBB-së në vitin 2025, sipas planit shumëvjeçar buxhetor të publikuar këtë javë nga Thesari.
Duke folur në kushte anonimiteti, të dy zyrtarët thanë se Greqia do pushojë së qeni vendi më i zhytur në borxh në eurozonë që nga ky vit.
Ata shtuan se vlerësimi i ri për raportin e borxhit të Greqisë do përfshihet në planin fiskal shumëvjeçar të vendit që do t’i dorëzohet Komisionit Evropian në fund të këtij muaji.
Sipas planit buxhetor të Italisë, borxhi i saj do mbetet afërsisht i qëndrueshëm në 138.5% në vitin 2027, përpara se të bjerë në 137.9% në vitin 2028 dhe në 136.3% një vit më pas.
Borxhi publik i Greqisë – më i larti në eurozonë gjatë dy dekadave të fundit – është ulur me më shumë se 60 pikë përqindje, në 145.9% të PBB-së vitin e kaluar nga një kulm prej 209.4% në vitin 2020.

Italia e ka ulur borxhin e saj me rreth 17 pikë përqindje gjatë të njëjtës periudhë.
Greqia, e cila po rimëkëmbet nga një krizë financiare dhjetëvjeçare dhe tre paketa shpëtimi që arrijnë rreth 280 miliardë euro, planifikon të shlyejë para kohe kredi me vlerë rreth 7 miliardë euro nga paketa e saj e parë e shpëtimit më vonë gjatë këtij viti.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shpesh thotë se borxhi i Italisë do kishte filluar të binte më herët dhe më shpejt, nëse nuk do ishte ndikimi negativ i stimujve shtetërorë për ndërtimin të prezantuar nga paraardhësit e saj, Giuseppe Conte dhe Mario Draghi.
Pas një rikuperimi të fortë nga pandemia COVID-19, Italia është kthyer në vendin e saj tradicional si një ndër performuesit më të dobët të eurozonës.
Vendi ka regjistruar tre vite radhazi me rritje nën 1% nga 2023 deri në 2025, pavarësisht fluksit të vazhdueshëm të miliardave eurove nga fondet e rimëkëmbjes së BE-së, një trend që, sipas planit buxhetor të Thesarit, do vijojë deri në vitin 2029.
Ekonomia e Greqisë është rritur në mënyrë të qëndrueshme me më shumë se 2% gjatë tre viteve të fundit, duke tejkaluar mesataren e BE-së, e nxitur nga investimet, kërkesa e brendshme dhe turizmi, shkruan Reuters.