
Holanda po përballet me kërcënimin më të madh ndaj sigurisë së saj kombëtare që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kryesisht nga Rusia dhe Kina, në sfondin e një rendi botëror shumë më “të paparashikueshëm”, tha të enjten agjencia holandeze e inteligjencës AIVD.
“Në 80 vitet e ekzistencës sonë, nuk kemi parë një nivel kërcënimi si ai aktual, ku siguria kombëtare është vënë nën presion nga kaq shumë drejtime njëkohësisht, për një periudhë kaq të gjatë,” tha drejtoresha e AIVD, Simone Smit, gjatë prezantimit të raportit vjetor të agjencisë.
“Po shohim një rend botëror të paqëndrueshëm dhe të paparashikueshëm, pas dekadash ku stabiliteti dhe parashikueshmëria ishin baza e mirëqenies dhe paqes.”
Ashtu si në vitet e kaluara, AIVD theksoi kërcënimet ndaj Holandës, një anëtare themeluese e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që burojnë nga Rusia dhe Kina.
Ajo tha se Rusia është bërë edhe më agresive ndaj vendeve perëndimore, përfshirë Holandën, kryesisht përmes sulmeve kibernetike.
“Rusia po përgatitet për një përballje afatgjatë me Perëndimin,” tha AIVD. “Si pasojë, një konflikt ushtarak midis Rusisë dhe Perëndimit nuk është më i paimagjinueshëm.”
Rusia mohon çdo plan për të sulmuar vendet e NATO-s, por akuzon atë që e quan “Perëndimi kolektiv” për kërcënimin e sigurisë së saj kombëtare, veçanërisht përmes mbështetjes financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
AIVD tha se Kina po vazhdon përpjekjet “të paligjshme” për të përvetësuar ekspertizë të avancuar teknologjike në përpjekjen e saj “për të riformuar rendin botëror … për t’i shërbyer më mirë interesave të saj”.
AIVD e ka cilësuar prej kohësh Kinën si kërcënimin më të madh ndaj sigurisë ekonomike të Holandës dhe tha se ky kërcënim është thelluar në vitin 2025.
Kina mohon se vepron në mënyrë të paligjshme në ndjekje të interesave të saj ekonomike ose se paraqet ndonjë kërcënim për vendet perëndimore.
Në planin e brendshëm, grupet xhihadiste dhe ato të ekstremit të djathtë përbëjnë kërcënimin kryesor të sigurisë në Holandë, me të dyja grupet që po fitojnë një popullaritet shqetësues tek disa të rinj, tha agjencia, shkruan Reuters.