Vendosni fjalën kyçe....

Kriza e naftës, Braçe: Kemi çmimin neto më të lartë në rajon, duhet të rikthejmë konkurrencën në treg


Rritja e çmimit të naftës, tha deputeti Erion Braçe në Kuvend, i referohet çmimit neto pa taksa i cili është më i larti në rajon.

Duke marrë si referencë çmimet neto dhe me taksën e përfshirë të disa vendeve si SHBA, Kanada, Britani, Francë, Norvegji e Gjermani, deputeti socialist evidentoi se të gjitha këto vende kanë çmim neto të ulët të naftës, ndryshe nga Shqipëria.

Ai bëri thirrje që e gjithë puna tashmë të përqendrohet te ridimensionimi i tregut të lëndëve djegëse.

“Problemi që kemi është çmimi neto pa taksa që i dedikohet modelit të tregut që kemi, një model që bën fitues brokerin dhe humbës qytetarët. Nuk janë taksat problemi që kemi. Kemi një çmim neto të naftës pa taksa, më të lartin në rajon. Kemi çmim neto pa taksa se gjithë vendet e BE, në rajon po të doni, majtas, djathtas, lart, poshtë, ku të doni. Ne duhet të merremi qartësisht me tregun, të rikthejmë konkurrencën dhe të shmangim abuzimin në tregun e hidrokarbureve”, tha Braçe duke përgëzuar punën e Bordit, por duke kërkuar edhe më shumë transparencë për çmimet.