Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh në Kuvend, drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, lidhur me procedurën e licensimit të bankës së parë digjitale në vend, “Jet Bank”.
Në një reagim publik, Këlliçi thekson se i është drejtuar për herë të tretë zyrtarisht Guvernatorit, por ende nuk ka marrë përgjigje për kërkesat e tij për informacion, të depozituara që prej muajit mars 2026.
Ai paraqet një kronologji të detajuar të zhvillimeve, duke nisur nga regjistrimi i “Jet Bank” në korrik 2025 me aksioner të vetëm shtetasin izraelit Idan Avishai, deri te ndryshimet e mëvonshme në strukturën e pronësisë.
Sipas tij, më 3 dhjetor 2025, Banka e Shqipërisë dha miratimin paraprak për licensimin, ndërsa më 26 janar 2026, 100% e aksioneve iu shitën kompanisë “Jet Holdings B.V.”, e regjistruar në Holandë.
Këlliçi ngre pikëpyetje mbi shpejtësinë e verifikimeve nga autoritetet, duke theksuar se mes shitjes së aksioneve dhe përgjigjes së Bankës së Shqipërisë kanë kaluar vetëm 15 ditë. Ai kërkon sqarime nëse kjo kohë është e mjaftueshme për të kryer të gjitha kontrollet ligjore dhe rregullatore.
Një nga çështjet më të forta të ngritura prej tij lidhet me figurën e Oliver Hemmer, i cili sipas Këlliçit ka qenë pjesë e strukturave drejtuese të kompanisë dhe rezulton i lidhur me një skemë mashtrimi ndërkombëtare të njohur si “4XFX”, për të cilën janë përfituar mbi 200 milionë euro nga qytetarë europianë.
Deputeti kërkon të dijë nëse Banka e Shqipërisë ka kryer verifikime të plota për këtë individ dhe lidhjet e tij.
Gjithashtu, ai shpreh shqetësim për faktin se aksionerët aktualë të bankës nuk kanë eksperiencë në sektorin bankar, duke vënë në pikëpyetje përputhshmërinë e këtij vendimi me legjislacionin shqiptar dhe atë europian.
Në deklaratën e tij, Këlliçi e lidh këtë çështje edhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke ngritur pyetje nëse licensimi i “Jet Bank” mund të ndikojë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe në vlerësimin nga komiteti MONEYVAL për luftën kundër pastrimit të parave.
Ai i bën thirrje Bankës së Shqipërisë që të kryejë verifikime të plota dhe të ofrojë transparencë publike mbi procedurat e ndjekura dhe kontrollin e ushtruar ndaj aksionerëve dhe palëve të lidhura me këtë projekt bankar.
Postimi i Këlliçit:
Fjala ime sot në Kuvendin e Shqipërisë, drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në lidhje me procedurën e licensimit të Bankës së parë digjitale në vend, Jet Bank:
I nderuar z. Sejko,
Po ju drejtohem për herë të tretë, zyrtarisht me shkresë nga Kuvendi si dhe për të disatën herë nga salla e Parlamentit.
Në datën 30.03.2026 ju jam drejtuar me një kërkesë për informacion me shkresën nr.360/2 prot., kërkesë për të cilën mbetem ende në pritje të një përgjigje nga ju.
Javën e kaluar jam vënë në dijeni të disa të dhënave shumë të rëndësishme në lidhje me shoqërinë Banka Jet dhe aksionerin e Jet Holdings B.V., të regjistruar në Qipro, Constador LDT.
Banka Jet është regjistruar në datën 23 korrik 2025, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me aksioner të vetëm shtetasin Izraelit, Idan Avishai.
Sipas Akt Themelimit kjo shoqëri do të administrohet nga Këshilli i Administrimit. Pjesë përbërëse e këtij këshilli do të jenë shtetasit: Idan Avishai (Kryetar), Oliver Hemmer dhe Rami Solomon.
Në datën 12.11.2025, Idan Avishai shkarkon Oliver Hemmer nga Këshilli i Administrimit.
Në datën 03.12.2025, Banka e Shqipërisë merr vendim “Për dhënien e miratimit paraprak për licensimin e Bankës “JET BANK” në Republikën e Shqipërisë”.
Në datën 26.01.2026, Idan Avishai shet 100% të aksioneve kompanisë Jet Holdings B.V. Kjo shoqëri është regjistruar në Hollandë në vitin 2025.
Në datën 12.02.2026 ju i përgjigjeni kërkesës time të parë me shkresën nr.720/1 prot, ku ndër të tjera citoni se:
“Banka e Shqipërisë nga vlerësimi i dokumentacionit të paraqitur nga “Jet Holdings B.V”, Hollandë, e cila është shoqëria që do të zotërojë 100% të kapitalit të bankës së propozuar “Jet Bank”, krijoi bindjen se “Jet Bank” do të ushtrojë veprimtarinë e saj në përputhje me kërkesat e parashikuara me kuadrin ligjor dhe rregullativ në fuqi”.
Sa më sipër bazuar në ligjin “Për Statusin e Deputetit” kërkoj të informohem:
1- Në cilën datë është bërë aplikimi për licensimin e “Jet Bank”?
2- Cili ka qënë aksioneri në momentin e aplikimit?
3- Në cilën datë jeni informuar për shitjen e aksioneve nga shtetasi Idan Vishai te kompania Jet Holdings B.V.?
4- Sipas të dhënave në QKB, shitja e aksioneve ka ndodhur në datën 26 janar dhe ju më jeni përgjigjur në datën 12 shkurt. A mjaftojnë 15 ditë për të kryer të gjitha verifikimet e parashikuar ne kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi?
5- Oliver Hemmer ka mbajtur funksion drejtues në kompaninë Banka Jet dhe Constador LTD në momëntin e aplikimit. A keni kryer ju verifikime për këtë shtetas?
6- Sipas një dokumenti të Ministrisë së Brendshme Gjermane, shtetasi Oliver Hemmer është Drejtues dhe Ortak i kompanisë GRF EUROPE OU, kompani e cila vepronte për llogari të E&G Bulgaria në pronësi të GAL BARAK. Gal Barak është dënuar në Austri për ngritjen e një skeme mashtrimi 4XFX nëpërmjet të cilës kanë përfituar mbi 200.000.000 euro nga shtetas Austriak, Gjerman, Zviceran etj. Pjesë e kësaj skeme ka qënë dhe shtetasi Oliver Hemmer me kompaninë GRF EUROPE OU. A keni kryer ju verifikime për këtë shtetas?
7- Jet Holdings B.V. ka regjistruar në QKB, kompaninë JET TECH. Kjo kompani është regjistruar pranë Durana Tech Park. A do kryejë kjo kompani shërbime për bankën e licensuar “JET BANK”?
8- Asnjë nga aksionerët nuk ka asnjë eksperiencë bankare dhe janë kompani të krijuara rishtas dhe kanë hyrë si aksioner të kompanisë BANKA JET vetëm pasi ju keni dhënë miratimin paraprak. Si e krijuat bindjen ju dhe si vendosët për herë të parë të licensoni një bankë në Shqipëri, me aksioner individ/kompani pa asnjë eksperiencë bankare, kur qartazi ligji dhe rregullorja në fuqi e ndalojnë kategorikisht?
I nderuar z. Sejko,
Siç jeni në dijeni Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave të antarësimit në Bashkimin Evropian. Në këtë proces Banka e Shqipërisë ka një sërë detyrimesh, në kuadër të grupkapitujve 1 (themeloret), dhe 2 (tregu i brendshëm) për të siguruar që legjislacioni Shqiptar dhe zbatimi i tij janë në përputhje me legjislacionin dhe praktikat evropiane.
Çdo bankë e licensuar nga ju në momentin e antarësimit do jetë pjesë e sistemit bankar Evropian. Ka 3 pyetje të tjera për ju:
- A është bërë miratimi paraprak dhe licensimi i kësaj banke në përputhje të plotë me legjislacionin Shqiptar dhe Evropian?
- A mund të pengojë/vonojë ky licensim mbylljen e këtij grupkapitulli?
- A janë në dijeni institucionet Evropiane për licensimin e kësaj banke?
Po ashtu, Shqipëria është ne proces shqyrtimi, në raundin e 6 të vlerësimit të Komitetit MONEYVAL, me fokus efikasitetin e zbatimit të ligjeve ekzistuese. Edhe në këtë rast kam 2 pyetje për ju:
- A mendoni se praktika e ndjekur në rastin e Bankës Jet do të ndikojë në këtë vlerësim?
- A keni raportuar ju për këtë rast?
Bashkëlidhur kësaj kërkese do të gjeni të gjithë informacionin e bërë publik nga unë mbi të cilin kërkoj në mënyrë URGJENTE që Banka e Shqipërisë të kryejë verifikime dhe të bëjë transparencë publike mbi eksperiencën dhe kontrollin e kryer nga ju për aksionerët dhe palët e lidhura me ta.
Punë të mbarë,
Belind Këlliçi
