Vendosni fjalën kyçe....

Balla thirrje opozitës: Të bashkohemi për integrimin në BE, ndalni baltën ndaj Shqipërisë



Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje opozitës që të bashkohet me mazhorancën në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla iu drejtua edhe kreut të PD-së, Sali Berisha, duke kërkuar që të ndalet retorika kritike ndaj vendit dhe institucioneve.

“Në Kuvend ka mbërritur raporti i qeverisë për integrimin në BE, bashkë me raportin e tre muajve të parë të 2026. Ajo që duhet t’u themi me krenari shqiptarëve nuk është shpresa apo mallkimet e atyre që thonë çdo ditë që negociatat kanë ngecur. Është fakt nga BE që Shqipëria sot ka përmbushur të gjitha detyrimet që vijnë nga procesi i integrimit”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se procesi i integrimit po ecën sipas procedurave të përcaktuara, duke kaluar nga Komisioni Europian te Këshilli dhe më pas te shtetet anëtare.

“Hiqni dorë nga balta që i hidhni Shqipërisë, nuk e keni vend armik. Jeni pjesë e pazëvendësueshme e demokracisë. Nuk ju bën nder aspak të shani nga mëngjesi në darkë Shqipërinë. Lexoni raportin që do të miratohet nga BE më 5 maj, ku bëhet thirrje të punojmë bashkë. Merrni përgjegjësitë që ju takojnë”, tha ai.