Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për gjendjen e ekonomisë shqiptare, duke u bazuar në të dhënat e një raporti ndërkombëtar.
Në një reagim publik, Tabaku thekson se sipas Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WiiW), Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor për produktivitetin e punës, me 34,580 euro për punonjës në vit, ose rreth 42% e mesatares së Bashkimit Europian.
Sipas saj, vendet e tjera të rajonit paraqiten ndjeshëm më mirë, duke renditur Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut si ekonomi me produktivitet më të lartë për punonjës.
Ajo kritikon modelin aktual ekonomik, duke theksuar se ai mbështetet kryesisht te ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, ndërkohë që mungojnë investimet në teknologji dhe inovacion, si dhe nuk shpërblehet puna mbi bazën e meritës.
Deputetja demokrate rendit si pasoja të këtij modeli pagat e ulëta, largimin e të rinjve dhe profesionistëve, si dhe boshatisjen e zonave të vendit.
Postimi i Tabakut:
Ka një të vërtetë që qeveria përpiqet ta fshehë, por që çdo raport ndërkombëtar po e thotë qartë: ekonomia shqiptare nuk po prodhon vlerë.
Sipas Institutit të Vjenës (WiiW), Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor për produktivitetin e punës, me vetëm 34,580 euro për punonjës në vit, ose 42% të mesatares së Bashkimit Europian.
Ndërkohë, vendet e tjera të rajonit janë shumë përpara:
Mali i Zi me 47,050 euro, Serbia me 46,260 euro, Kosova me 44,970 euro, Maqedonia e Veriut me 43,810 euro.
Pra, çdo shqiptar që punon sot prodhon mbi 10 mijë euro më pak në vit sesa fqinjët e tij. Kjo paaftësi nuk është rastësi por pasojë e një modeli të gabuar ekonomik.
Një ekonomi që mbështetet tek ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, jo tek prodhimi.
Një ekonomi që nuk investon tek teknologjia dhe inovacioni.
Një ekonomi që nuk shpërblen punën, por lidhjen.
Dhe pasojat i shohim çdo ditë.
Pagat mbeten më të ulëtat në rajon.
Të rinjtë dhe profesionistët largohen.
Rajonet boshatisen.
Shqipëria mbetet pas.
Një vend me produktivitet të ulët nuk varfërohet brenda natës.
Ai zbrazet pak nga pak: nga të rinjtë, nga profesionistët, nga klasa e mesme dhe nga besimi se puna e ndershme të çon përpara. Kjo është Shqipëria e sotme.
Një vend ku nuk fiton meritokracia, por një pakicë që përfiton nga një sistem i padrejtë dhe i pabarabartë. Ky nuk është një fat i pashmangshëm por një zgjedhje politike dhe koha është për ta ndryshuar.
