Vendosni fjalën kyçe....

Goditen lojërat e fatit në Lezhë, arrestohen 3 persona, zbulohet edhe aktivitet droge



Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Rastet”, duke goditur disa raste të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në zonën e Lezhës.

Aksioni, i zhvilluar mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, çoi në zbulimin e tre ambienteve në Milot dhe Laç, të përshtatura për lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri. Në njërin prej tyre u konstatua edhe aktivitet i paligjshëm i shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Gjatë operacionit u sekuestruan 15 makineta, 3 tavolina pokeri, sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë, para në cash dhe pajisje të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Në pranga përfunduan tre shtetas, ndërsa një tjetër u procedua penalisht dhe një person u shpall në kërkim, të gjithë pronarë ose administratorë të ambienteve të përfshira.

Sipas njoftimit të policisë, në një lokal në Laç u arrestuan shtetasit Sh. P., 21 vjeç dhe D. M., 33 vjeç, ndërsa u procedua penalisht shtetasi S. Sh., 61 vjeç. Në këtë ambient u gjetën 8 makineta, 2 tavolina pokeri dhe sasi lënde narkotike e ndarë në doza.

Po ashtu, në Milot u arrestua shtetasi Y. V., 45 vjeç, pasi në lokalin e tij u konstatuan pajisje për lojëra fati. Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi P. Ll., 31 vjeç, në ambientin e të cilit u gjetën 2 makineta dhe 1 tavolinë pokeri.

Policia bën me dije se kontrollet kundër kësaj paligjshmërie do të vijojnë në subjekte dhe ambiente të ndryshme, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.