
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka analizuar zhvillimet brenda opozitës dhe protestën e fundit të organizuar nga PD, duke vlerësuar se ajo nuk ka sjellë risi as në përmbajtje dhe as në ndikimin politik.
Salianji u shpreh: “Nga ana e përmbajtjes nuk solli asgjë të re kjo protestë. Si reagim ndaj korrupsionit, kriminalizimit, skandaleve të ish-zv/kryeministres, AKSHI-t etj, është e domosdoshme. Pritshmëritë e ngritura nga lidershipi, nga zoti Berisha si kryetar janë të tilla që i ulin vlerën.”
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e komunikimit politik para dhe pas protestës, duke theksuar se, sipas tij, ajo dëmton perceptimin publik për opozitën: “Qoftë pritshmëritë nga gjuha para protestës kur thonë se është kilometri i fundit etj., po ashtu edhe gjuha pas protestës, është një gjuhë politike që dëmton në besueshmëri opozitën. Nuk mund të thuhet pas asaj proteste se ‘regjimi u tmerrua’ etj. Duhet të gjejmë një mënyrë tjetër komunikimi dhe ndaj kam dalë në këtë lëvizje duke kërkuar ndryshim edhe në gjuhën politike.”
Në vijim, Salianji vuri në dyshim rolin aktual të Sali Berishës në drejtimin e partisë, duke e cilësuar atë si një faktor që, sipas tij, po pengon ndryshimin politik dhe rotacionin: “Berisha ka kontributet e veta, por tani është i pamjaftueshëm, madje pengesë për të sjellë rotacionin. Këto protesta tani janë rezistencë për të mos ndryshuar PD”, deklaroi ai.
Salianji komentoi gjithashtu gjendjen aktuale të opozitës, duke e përshkruar atë si të zgjatur në kohë dhe të përkeqësuar në rezultate, si në zgjedhje ashtu edhe në mobilizime politike.
Ai tha se opozita nuk mund të justifikojë më mungesën e rezultateve me pritje apo durim, duke theksuar nevojën për veprim më të shpejtë dhe më të fortë politik. “Ne kemi 13 vite në opozitë, nuk duhet durim, duhet nxitim i madh, reagim i fortë, përballje e fortë. Çfarë durimi të kemi ne, kemi 13 vite në opozitë dhe jemi shumë më dobët se më parë”, u shpreh Salianji.
Duke folur për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ai i konsideroi rezultatet si të dobëta dhe tha se problematikat që lidhen me procesin zgjedhor nuk kanë ndryshuar me kalimin e kohës. “Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ishte i dobët. Të gjithë elementët që kanë të bëjnë me deformimin e vullnetit të zgjedhësve janë të njëjtat si më parë. Ndërsa sot kemi rezultat edhe më të dobët”, deklaroi ai.
Salianji kritikoi gjithashtu mënyrën e organizimit të PD-së, si në përzgjedhjen e kandidatëve ashtu edhe në strukturimin e protestave, duke e lidhur këtë me pjesëmarrjen e ulët qytetare. “Ka gabuar në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, mosrespektimi i kontributeve të njerëzve me vlera në PD. Një arsye pse protesta ishte aq e dobët në pjesëmarrje është për shkak se janë shmangur njerëzit në struktura që kanë kontribut dhe mbështetje. PD aq njerëz i mbledh në një qytet”, përfundoi ai.