Vendosni fjalën kyçe....

Bordi i Transparencës përcakton çmimet e reja të karburanteve



Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve në vend, në mbledhjen e zhvilluar më 22 prill 2026.

Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 202 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 190 lekë për litër.

Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë është përcaktuar jo më shumë se 176 lekë për litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 164 lekë për litër.

Këto çmime kanë hyrë në fuqi në datën 22 prill, në orën 12:30 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku pritet të reflektohen ndryshime të reja sipas tregut.

Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve të tregtimit të nënprodukteve të naftës që të zbatojnë detyrimisht këtë vendim, duke paralajmëruar masa të forta në rast shkeljesh, përfshirë pezullimin e aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thekson se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Në një sqarim shtesë, bëhet e ditur se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, që parashikon ulje të akcizës në rast të tejkalimit të niveleve të caktuara. Për këtë arsye, në këtë rast do të zbatohet niveli i plotë i akcizës, në masën 100%.