Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhen dy interpelancat e kërkuara nga PD, mungojnë ministrat Nufi dhe Kumbaro/ Peleshi: Interpelanca duhet të prevalojë mbi çdo axhendë tjetër


Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, nuk ishte i pranishëm në interpelancën urgjente të kërkuar nga Partia Demokratike për çështjen e shoqërisë KAYO, për shkak të ndryshimit të orarit të fluturimit.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, sqaroi se për arsye objektive dhe angazhime zyrtare, ministri e kishte të pamundur të merrte pjesë, duke kërkuar shtyrjen e interpelancës për në seancën e radhës.

“Lidhur me interpelancën urgjente, për arsye objektive, për shkak të një angazhimi zyrtar të ministrit, për shkak të një ndryshimi të orarit të fluturimit, është e pamundur që të mbërrijë në interpelancë.

Do të kërkonim që kjo interpelancë të shtyhet në seancën e radhës”, tha Ismaili.

Gjithashtu, nuk është e pranishme as ministrja Mirela Kumbaro, së cilës i është kërkuar interpelancë sërish nga opozita.

“Është finalja e konkursit për gjuhën shqipe, është atje si organizatore”, sqaroi Ismaili.

Në këtë pikë, doli në krah të opozitës edhe kryeparlamentari Peleshi, i cili tha:Ndaj të njëjtin qëndrim me opozitën, interpelanca duhet të prevalojë mbi çdo axhendë tjetër.
Ministri duhet të respektojë Kuvendin e Shqipërisë dhe të jetë këtu”, u shpreh ai duke nënvizuar se rasti i Nufit bën përjashtim për shkak se bëhet fjalë për një incident.