
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, zhvilloi një interpelancë në Kuvend me ministrin e Infrastrukturës, Enea Karakaçi, lidhur me ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, duke ngritur shqetësime mbi ndikimin e projektit në zhvillimin strategjik të vendit.
Në fjalën e tij, Kapri e cilësoi Korridorin 8 si një ndër projektet më të rëndësishme kombëtare, duke theksuar se roli i portit të Durrësit është vendimtar për pozicionimin ekonomik të Shqipërisë në Europë.
“Korridori 8 është projekti më i rëndësishëm i shqiptarëve dhe porti i Durrësit përcakton nëse vendi do të jetë vend periferik apo nyjë strategjike e ekonomisë evropiane. Por nuk është vetëm ekonomi, por infrastrukturë kyçe për sigurinë e NATO-s,” u shpreh ai.
Deputeti nënvizoi se janë siguruar rreth 500 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës Durrës–Qafë Thanë, por paralajmëroi se ky investim mund të vihet në rrezik nga zhvillimet që lidhen me portin ekzistues dhe projektin e ri në Porto Romano.
“Ndërtimi i kësaj vepre rrezikohet nga shkatërrimi i portit të Durrësit, qoftë me heqjen e portit aktual qoftë me portin e ri me kapacitet më të vogël. Këtu ka një problem,” tha Kapri.
Ai ngriti gjithashtu dyshime për mënyrën e menaxhimit të projektit, duke përmendur anulimin e tenderit pa transparencë dhe pa mbajtjen e garancisë financiare.
“Si ka mundësi që po rrezikohet vepra më e madhe strategjike e shqiptarëve? U anulua tenderi për portin e ri pa dhënë llogari dhe pa mbajtur garancinë prej 8 milionë eurosh kompanisë që qëndroi në garë dhe u tërhoq më pas,” deklaroi ai, duke shtuar se çështja ndodhet në hetim nga SPAK.
Duke iu referuar një komunikimi zyrtar, Kapri tha se institucioneve shtetërore u ka mbërritur një mesazh nga një përfaqësues i rëndësishëm i komunitetit të biznesit amerikan në Shqipëri, i cili paralajmëron për pasojat e mundshme të projektit.
“Portet ndërtohen një herë në shekull dhe gabimet strategjike mund të ndikojnë fatin e një vendi. Nëse Porto Romano ndërtohet me shkallën e vogël strukturore, Korridori 8 do dështojë dhe flukset e mallrave do kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë të mënjanuar,” citoi Kapri.
Në fund, deputeti ngriti një sërë pyetjesh drejtuar ministrit Karakaçi, duke kërkuar sqarime mbi ndikimet e huaja në projekt, fatin e portit aktual të Durrësit, mundësinë e hapjes së një tenderi të ri dhe përmasat e projektit të ri në raport me kapacitetin ekzistues.
Debati për portin e Porto Romanos dhe të ardhmen e portit të Durrësit mbetet një nga çështjet më të diskutuara lidhur me zhvillimin infrastrukturor dhe ekonomik të vendit.