
Në seancën plenare të Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ngriti shqetësime për gjendjen e shërbimeve shëndetësore në Lushnjë dhe më gjerë, duke shfrytëzuar edhe tone ironike në drejtim të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.
Ai u ndal te mungesat në spitale dhe kushtet e pajisjeve mjekësore, duke theksuar se situata aktuale nuk përmbush standardet bazë për një vend që synon integrimin europian.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Korreshi u shpreh:
“Ju na thoni ejani të shohim Rregulloren, por ajo është si të ulet koha e deputetëve për të folur, se u mërzitën kolegët e rinj që flasim nga 10 minuta. A e keni numrin ta thërrisni ministren e Shëndetësisë, se vërtet ka ikur në Europë, po dua t’i them nuk hyhet në Europë pa pambuk e jod, pa mamografi e eko që nuk punojnë në Lushnjë, se po çojmë në Lushnjë dhe po na dalin lushnjarët të gjithë fierakë.”
Deklarata e tij u shoqërua me batuta në sallë, ndërsa ai vijoi kritikën ndaj mungesës së pajisjeve bazë mjekësore, duke përmendur veçanërisht shërbimet për gratë shtatzëna dhe diagnostikimin e hershëm.
Debati vjen në një kohë kur opozita ka rritur akuzat ndaj qeverisë për gjendjen e sistemit shëndetësor dhe mungesën e investimeve në spitalet rajonale, veçanërisht jashtë Tiranës.