
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, kritikoi organizimin e edicionit të katërt të Samitit të Diasporës, duke e cilësuar atë si një aktivitet me karakter propagandistik.
Ajo theksoi se opozita ka qenë e përjashtuar nga ky organizim dhe akuzoi qeverinë për mungesë përfshirjeje institucionale, duke nënvizuar se nuk është marrë parasysh as Komisioni Parlamentar i Diasporës.
“Mënyrën sesi i kishit organizuar samitin e diasporës, do t’ju ftoja, që komisionit turizmit dhe të kulturës le t’ia hiqni diasporën për aq kohë sa e keni injoruar kuvendin, për aq kohë sa qeveria nuk e pa të nevojshme të përfshinë Komisionin parlamentar të Diasporës. E kthyet në samit propagandistik”, tha Zhupa.
Ministri Ferit Hoxha tha se samiti i 4- ka qenë një sukses duke shtuar se “asnjëherë më parë është trajtuar spektri më i gjerë i çështjeve që kanë rëndësi për ne dhe diasporën. Diaspora është vazhdim i Shqipërisë jashtë vendit, e duam aktor. Kemi bërë dialog. Kurrë s’ka bërë vaki të kemi panele të tilla”.
Ndër të tjera Hoxha tha se opozita nuk i përjashtuar nga asnjë organizim ndërsa ra dakord se ka më shumë vend për komunikim.
“Çdo diskutim për anëtarësimin e Shqipërisë është i mirëpritur. Jam dakord me nevojën për më shumë komunikim në kuadër të transparencës. Jemi të angazhuar, në një proces kombëtar që do të vijojë për integrimin. Jam dakord që në këtë proces jemi bashkë për të ndërtuar, askush nuk është i përjashtuar apo i tepërt”, tha Hoxha.