Vendosni fjalën kyçe....

Shoqërohet në polici avokati Altin Goxhaj


Avokati Altin Goxhaj është shoqëruar në polici.

Sipas njoftimit zyrtar, Goxhaj ka fyer efektivët dhe për këtë arsye është ndaluar dhe shoqëruar në Komisariatin 2.

Njoftimi

“Më datë 16.04.2026, rreth orës 20:00, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 2, duke patrulluar në rrugën “Kavajës”, ka ndaluar për të marrë masa ndaj drejtuesve të automjeteve të parkuara në korsinë e dedikuar.

Në kohën kur punonjësit e Policisë ishin duke kryer detyrën, një automjet taksi është parkuar mbrapa makinës së Policisë.

Punonjësit e Policisë i janë afruar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të automjetit të vijojë lëvizjen, por nga mjeti taksi, që drejtohej nga shtetasi A. B., 26 vjeç, doli shtetasi A. G., 56 vjeç (avokat), i cili ka filluar të ofendojë dhe, së bashku me drejtuesin e automjetit, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë që ishin duke kryer detyrën,  për të vijuar lëvizjen.

Në këto kushte, punonjësit e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 shtetasin A. G., i cili edhe gjatë shoqërimit ka vijuar të kundërshtojë  punonjësit e Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, shtetasi A. G., u procedua penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për të respektuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe për të përmbushur detyrën që i ngarkon ligji.”