
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për projektin e Portit të Durrësit, duke pretenduar se ai sjell një dëm të madh ekonomik dhe përbën, sipas tij, një “grabitje të pasurisë publike”.
Në një deklaratë publike, Berisha tha se transformimi i portit ekzistues në një zonë turistike të stilit “Dubai i 1001 netëve” përbën një projekt me pasoja të rënda financiare për vendin.
“Porti i Durrësit, që Edi Rama do ta shndërrojë në Dubain e 1001 netëve, përbën një grabitje të pasurisë publike prej të paktën 3.8 gjer në 4 miliardë euro”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se paralelisht me këtë projekt, edhe ndërtimi i portit të ri në Porto Romano do të ketë një kosto të lartë, të cilën e vlerësoi rreth 1 miliard euro.
“Ndërkohë, duhet thënë se Porto Romano me përmasat dhe projektin që ka është një port që zhvlerëson në mënyrë përfundimtare portet e Shqipërisë, u jep përparësi porteve të tjera të rajonit”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, ndërtimi i portit të ri do të dobësojë rolin strategjik të Durrësit në rajon dhe do ta dëmtojë pozitën e Shqipërisë në tregtinë detare.
“Kështu që Shqipëria nga një vend me port strategjik për BE siç është porti i Durrësit, del në një vend pa porte të rëndësishme dhe kjo vetëm e vetëm që Edi Rama të bëhet supermiliarder”, tha ai.
Berisha ftoi gjithashtu për debat publik mbi çështjen, duke theksuar se qytetarët duhet të diskutojnë për atë që ai e cilëson si një nga projektet më të rëndësishme dhe më të diskutueshme në vend.