Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk do të tolerohet asnjë shkelje e ligjit” – Hita paralajmëron operacion për lirimin e akseve rrugore



Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar takime me drejtues të policisë në Shkodër dhe Lezhë, ku ka kërkuar masa të menjëhershme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në disa fusha me prioritet.

Gjatë takimeve me drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Lezhë, si dhe strukturat e Kufirit dhe Migracionit, Hita prezantoi objektivat kryesore të punës, duke vënë theksin te lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike, armëmbajtjes pa leje dhe krimit të organizuar.

Ai kërkoi identifikimin dhe ndjekjen penale të organizatorëve, financuesve dhe trafikantëve të drogës, duke e cilësuar të papranueshme përsëritjen çdo vit të të njëjtës situatë me kultivimin e bimëve narkotike në Shkodër dhe Lezhë.

“Është e papranueshme që të vijojë çdo vit e njëjta situatë”, u shpreh Hita, duke kërkuar analizë të detajuar të të dhënave dhe informacionit operacional për parandalimin e veprimtarisë kriminale.

Në fokus të detyrave të lëna nga drejtori ishin gjithashtu goditja e armëmbajtjes pa leje, kapja e personave në kërkim, lufta kundër ndërtimeve pa leje, lojërave të fatit dhe aktiviteteve të paligjshme si call center-at, si dhe rritja e reagimit ndaj shqetësimeve të qytetarëve.

Hita theksoi gjithashtu nevojën për rritjen e standardeve në Policinë Kufitare, duke kërkuar menaxhim më efikas të flukseve dhe shmangien e radhëve për qytetarët dhe turistët.

Ai paralajmëroi se duke filluar nga e hëna do të nisë një operacion për lirimin e akseve rrugore, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, duke kërkuar ndëshkimin e çdo shkelësi që ka zaptuar hapësirat publike.

Sipas tij, nuk do të tolerohet asnjë shkelje e ligjit dhe ndaj çdo abuzimi me detyrën do të ketë masa të menjëhershme.