Vendosni fjalën kyçe....

Arka e shtetit ka më shumë para, pra ka më pak vjedhje – Rama


Gjatë një takimi të hapur me përfaqësues të sipërmarrjes shqiptare, Kryeministri Edi Rama ka bërë një mbrojtje të fortë të modelit ekonomik të qeverisë së tij, duke përdorur shifrat e investimeve dhe taksave si provë kundër akuzave për korrupsion.

Rama theksoi se Shqipëria ka njohur një rritje galopante të investimeve të huaja, duke u katërfishuar nga 300-400 milionë euro që ishin dikur, në mbi 1.5 miliardë euro në vitin aktual.

Sipas kryeministrit, ky interes i shtuar i investitorëve të huaj është i lidhur ngushtë me hovin që ka marrë sektori i ndërtimit, të cilin ai e cilësoi si motorin kryesor të transformimit të vendit drejt Bashkimit Europian.

 Rama u tregua i ashpër me kritikët dhe opozitën, duke argumentuar se akuzat për një Shqipëri “të kapur për fyti nga korrupsioni” nuk bazohen në fakte, por në pamundësinë për të pranuar arritjet e tjetrit.

“Ata që flasin sot për një Shqipëri të kapur për fyti nga korrupsioni, janë të kapur në fytin e tyre nga mllefi ndaj suksesit. E kanë të pamundur ta gjejnë fuqinë për të pranuar dhe për t’ia falur tjetrit suksesin,” — deklaroi kreu i qeverisë.

 Kryeministri përdori një argument matematik për të hedhur poshtë akuzat e korrupsionit në rritje.

Ai mori sërish shembullin e një projekti ndërtimi që paguan 14 milionë euro taksë infrastrukture, duke thënë se një shumë e tillë nuk mund të paguhej kurrë në një sistem ku dominon ryshfeti.

“Të ardhurat nuk rriten nga shiu, por nga taksat. Nëse arka e shtetit ka më shumë të ardhura, kjo do të thotë se ka më pak korrupsion. Kur korrupsioni ishte më i lartë, paguhej shumë më pak taksë sepse përqindjen e saj e kishin në dorë ata që qeverisnin,” — nënvizoi Rama.

 Në mbyllje, Rama u shpreh se ekspozimi i rasteve negative në luftën kundër korrupsionit dhe suksesi ekonomik janë dy anë të së njëjtës medalje.