Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se forcat amerikane do të qëndrojnë pranë Iranit deri në arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje, përcjell Fox News.
Në një postim në platformën Truth Social, ai u shpreh se ushtria amerikane do të mbetet në gatishmëri derisa të sigurohet një “marrëveshje reale” me Teheranin.
“Të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak amerikan, së bashku me municionet dhe armatimin e nevojshëm, do të qëndrojnë në dhe rreth Iranit, derisa marrëveshja përfundimtare të zbatohet plotësisht,” shkroi Trump.
Ai paralajmëroi se nëse marrëveshja nuk respektohet, veprimet ushtarake mund të rifillojnë me intensitet edhe më të lartë.
Deklarata vjen pas njoftimit për një armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit. Sipas Trump, çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë ndalimin e armëve bërthamore nga Irani dhe rihapjen e ngushticës së Hormuzit.
“Nuk do të ketë armë bërthamore dhe ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur dhe e sigurt,” theksoi ai.
