Vendosni fjalën kyçe....

Gjysma e Dubait po largohet pas luftës në rajon


Banorë të shumtë të Dubait kanë marrë rrugën me makinë drejt Omanit fqinj, madje disa edhe drejt Arabia Saudites, në përpjekje për të gjetur vende në fluturimet e pakta që po operojnë jashtë rajonit. Situata vjen në ditën e tretë të trazirave globale në udhëtime, të cilat kanë ndikuar edhe në rënien e ndjeshme të aksioneve të kompanive ajrore.

Aeroportet në Dubai, Abu Dhabi dhe Katar qëndruan të mbyllura të hënën, pasi sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit gjatë fundjavës provokuan kundërpërgjigje nga Teherani. Në këtë klimë, operatorët e fluturimeve charter po konkurrojnë për të siguruar leje uljeje në destinacione alternative brenda rajonit.

Dhjetëra mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar për shkak të mbylljeve, ndërsa shumë të tjerë në Azi dhe Evropë nuk kanë mundur të realizojnë fluturimet lidhëse. Qatar Airways, Etihad Airways dhe Emirates shtynë sërish fluturimet për një ditë tjetër.

Sipas kompanisë së të dhënave të aviacionit Cirium, deri në orën 11:00 me orën britanike, më shumë se gjysma e fluturimeve të planifikuara për të hënën në rajon ishin anuluar. Rreth 4,000 fluturime hyrëse dhe dalëse u ndërprenë, duke iu shtuar mijëra anulimeve të fundjavës.

Në tregjet financiare, aksionet e linjave ajrore globale ranë ndjeshëm në ditën e parë të tregtimit pas nisjes së sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. International Airlines Group, pronare e British Airways, humbi rreth 5%, ndërsa Air France-KLM ra me 8.5%. Lufthansa shënoi një rënie prej 6%.

Shumica e avionëve të linjave ajrore evropiane ndodhen në vendet e tyre të origjinës. Të hënën në mëngjes, Lufthansa realizoi një fluturim nga Abu Dhabi drejt Mynihut pas riparimeve, por pa pasagjerë. Ndërkohë, operatorët e fluturimeve private janë përhapur masivisht në rajon.

Platforma EnterJet raportoi rritje prej 40% të rezervimeve që nga e shtuna. Sipas themeluesit Charles Robinson, Muskat në Oman është “opsioni i vetëm realisht i zbatueshëm” për të përballuar kërkesën urgjente për largime nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Të tjerë po udhëtojnë deri në 10 orë me makinë drejt Riadit në Arabinë Saudite për të kapur fluturime. Robinson përmendi gjithashtu rritje aktiviteti në Dammam, një alternativë e dobishme për pasagjerë nga Bahreini dhe Katari.

Agjencia e sigurisë së aviacionit të BE-së ka këshilluar avionët civilë të shmangin fluturimet mbi rajon, duke e komplikuar më tej situatën operacionale.

“Kërkesa është më e madhe sesa numri i avionëve të disponueshëm,” tha Robinson, duke shtuar se sapo hapësira ajrore të normalizohet, nisjet private nga Gjiri do të jenë shumë të shumta.

Kompania Luxe Jets ka rezervuar një avion A320 për fluturim nga Muskati drejt Stambollit, me plane për nisje të tjera gjatë javës. Drejtori Alexander Graham deklaroi se “gjysma e Dubait po rezervon”, ndonëse kalimi i kufirit me Omanin dhe sigurimi i lejeve të uljes në Muskat janë bërë më konkurruese.

Një operator tjetër kërkonte 20,000 paund për një vend në një fluturim nga Omani drejt Milanos.

Një oligark rus me bazë në Dubai, duke folur në kushte anonimiteti për Financial Times, tha se kishte ofruar dyfishin e çmimit normal për një fluturim privat Dubai–Moskë, por iu refuzua kërkesa.

Raffaella Meledandri, themeluese e Air-Dynamic, deklaroi se klientët po nxitojnë të rezervojnë, por duhet të tregojnë durim, pasi fluturimet private nga Muskati pritet të rifillojnë gradualisht.

Një drejtues i një fondi të madh “hedge fund” me prezencë në Dubai e përshkroi situatën si shqetësuese, duke theksuar se zhvendosja në Dubai nuk ishte menduar si një ekspozim ndaj tensioneve gjeopolitike. “Njerëzit kanë lëvizur familjet këtu. Ky nivel ankthi është diçka e re,” u shpreh ai.

Megjithatë, jo të gjithë po mendojnë të largohen. Një britanik në Abu Dhabi, që tha se kishte parë një shpërthim pranë aeroportit ndërsa një dron Shahed fluturonte rreth 50 metra mbi të, deklaroi se nuk po e konsideronte largimin. “Ne ndihemi plotësisht të sigurt,” tha ai.

Sipas një britanikeje që jeton në Dubai, disa banorë janë madje armiqësorë ndaj idesë së largimit. “Të largohesh nga ‘parajsa’ me dëshirën tënde shihet si absurde,” u shpreh ajo.

Reagimet ndryshojnë sipas përkatësisë kombëtare. Saad Mohseni, drejtues afgan i Moby Media Group me bazë në Dubai, vuri në dukje se afganët në qytet mbeten relativisht të qetë, të mësuar me realitete më të ashpra në vendin e tyre, shkruan FT.