Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Kushtetuese rrëzon ankimimin e Ramës, lë në fuqi pezullimin e Ballukut dhe bllokimin e pasaportës



Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka zbardhur vendimin për çështjen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke rrëzuar ankimimin e Kryeministrisë për pezullimin e saj nga detyra.

Në vendimin me 43 faqe, Gjykata ka lënë në fuqi masën e vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që parashikon pezullimin e Ballukut dhe bllokimin e pasaportës së saj.

Çështja u shqyrtua në seancë plenare publike më 22 të këtij muaji nga trupa e përbërë nga: Fiona Papajorgji (kryetare), Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja, Ilir Toska, Genti Ibrahimi, Marjana Semini, Asim Vokshi dhe Sandër Beci, me sekretare Anjeza Puka.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese trajton edhe një nga pikat më të debatuara të kësaj çështjeje, atë të pretenduar “ndërhyrje” të GJKKO-së në kompetencat e Kryeministrisë. Sipas vendimit, nuk konstatohet cenim i ndarjes së pushteteve, duke argumentuar se masa e sigurisë është marrë në kuadër të kompetencave ligjore të organit të posaçëm.

Me këtë vendim, Kushtetuesja vulos përfundimisht vlefshmërinë e masës së pezullimit, duke mbyllur një kapitull të debatit institucional mes ekzekutivit dhe drejtësisë së posaçme.