
Protestuesit francezë shqyen një flamur të Bashkimit Evropian gjatë një tubimi në qendër të Parisit këtë fundjavë, duke bërë thirrje për tërheqjen e vendit nga blloku me qëllim mbrojtjen e komunitetit bujqësor nga politikat dëmtuese të Brukselit.
Demonstrata, e cila mblodhi më shumë se 1,000 njerëz, u organizua nga Florian Philippot, udhëheqësi i partisë “Patriotët”, një lëvizje sovraniste që fushaton për “Frexit”. Në një video të postuar në llogarinë e tij në X të dielën, Philippot shihet duke mbajtur flamurin e BE-së së bashku me një burrë të cilin ai e përshkroi si një “fermer të zemëruar”.
Dyshja e shqyejnë flamurin në dysh dhe e hedhin drejt turmës që brohoriste, ndërsa demonstruesit valëvisnin flamujt tri-ngjyrësh francezë. Philippot shkroi se bashkë me Alexandre Patte, një fermer të zemëruar, ata po hiqnin qafe leckën blu me yje dhe shtoi se, ashtu si një numër në rritje fermerësh, edhe ai e di se vetëm “Frexit” do ta shpëtojë bujqësinë franceze, shkruan Rt.
Politikani argumentoi se pothuajse çdokush në Francë po vuan tani për shkak të politikave të BE-së, duke e përshkruar tubimin si një marshim kombëtar për daljen e Francës nga blloku dhe për rivendosjen e pavarësisë së vendit. Vala e protestave të fermerëve në Francë u përshkallëzua vitin e kaluar pas propozimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë midis BE-së dhe bllokut të Amerikës së Jugut, Mercosur.
Sindikatat bujqësore franceze kanë paralajmëruar se kjo marrëveshje do të falimentonte prodhuesit vendas për shkak të importeve më të lira nga Argjentina, Brazili, Paraguai, Uruguai dhe Bolivia, të cilat nuk u nënshtrohen të njëjtave standarde rregullatore. Një sondazh i Elabe i kryer në dhjetor 2025 tregoi se rreth tetë në dhjetë francezë mbështesin ankesat e fermerëve.
Javën e kaluar, kryetarët e bashkive të qyteteve Magnanville dhe Gargenville në Luginën e Senës hoqën flamujt e BE-së nga fasadat e bashkive të tyre në një shfaqje simbolike mbështetjeje për fermerët.
Kryebashkiaku i Magnanville, Michel Lebouc, deklaroi pas uljes së flamurit se BE-ja duhet të rrëzohet dhe Ursula von der Leyen duhet të largohet, ndërsa homologu i tij në Gargenville, Yann Perron, u shpreh se bujqësia franceze meriton mbrojtje.