
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka njoftuar se vendi i saj do të dërgojë këtë javë ndihmë humanitare në Kubë, përfshirë ushqime, në një kohë kur ishulli po përballet me një krizë të rëndë ekonomike dhe energjetike, përcjell DW.
Gjatë një aktiviteti publik në shtetin verior Sonora, Sheinbaum sqaroi se nuk ka diskutuar çështjen e Kubës me presidentin amerikan Donald Trump, i cili më herët i ka kërkuar Meksikës të pezullojë dërgesat e naftës drejt Havanës dhe ka kërcënuar me tarifa vendet që furnizojnë Kubën me energji.
Sheinbaum theksoi se qeveria meksikane synon të zgjidhë në mënyrë diplomatike çdo çështje që lidhet me dërgesat e naftës drejt Kubës, duke nënvizuar se këto dërgesa bëhen për arsye humanitare.
Kuba ndodhet aktualisht në një krizë të thellë ekonomike, me mungesa të theksuara energjie që kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike deri në 12 orë në ditë, për shkak të mungesës së naftës. Situata u përkeqësua më tej pasi Venezuela pezulloi furnizimet me naftë drejt Kubës, pas një operacioni ushtarak të SHBA-së më 3 janar, që çoi në rrëmbimin dhe rrëzimin e presidentit Nicolas Maduro.
Në këto rrethana, Meksika është shndërruar në furnizuesin kryesor të Kubës me naftë bruto dhe produkte të rafinuara, duke zëvendësuar Venezuelën. Megjithatë, raportet tregojnë se kohët e fundit Meksika ka reduktuar furnizimet me naftë drejt Kubës për shkak të presionit nga Shtetet e Bashkuara, të cilat vijojnë të mbajnë në fuqi embargon tregtare ndaj Kubës që prej vitit 1962.
Të premten, presidentja Sheinbaum paralajmëroi se Kuba rrezikon të përballet me një krizë të madhe humanitare, nëse situata ekonomike dhe energjetike vijon të përkeqësohet.