
Që prej 2 shkurtit 2026, autoritetet e Romës kanë vendosur një biletë prej 2 eurosh për turistët që dëshirojnë të zbresin shkallët dhe të afrohen pranë basinit me ujë të shatërvanit të famshëm Trevi, aty ku tradicionalisht hidhet monedha për fat të mirë. Ndërkohë, soditja e shatërvanit nga sheshi sipër mbetet falas, përcjell Euronews.
Vendimi është pjesë e planeve të Bashkisë së Romës për të ulur mbipopullimin dhe për të promovuar turizmin e qëndrueshëm. Ideja e vendosjes së një tarife u hodh për herë të parë në vitin 2024, si një mënyrë për të kontrolluar fluksin e madh të vizitorëve në një nga monumentet më të frekuentuara të kryeqytetit italian.
Shatërvani i shekullit XVIII ka qenë prej dekadash një ndalesë e detyrueshme për turistët, por mbipopullimi i vazhdueshëm dhe prania e xhepistëve kanë ngritur shqetësime serioze. Këshilltari i Bashkisë së Romës për Turizmin, Alessandro Onorato, ka deklaruar se qëllimi i tarifës nuk është mbledhja e të ardhurave, por menaxhimi i turmave dhe ruajtja e respektit për monumentin. “Nuk është e pranueshme që njerëzit të hanë akullore apo pica mbi një monument që meriton respektin e duhur,” është shprehur ai.
Autoritetet romake bëjnë me dije se të ardhurat nga biletat do të përdoren për përmirësimin e përvojës së vizitorëve dhe për mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit. Sipas vlerësimeve, kjo tarifë mund të gjenerojë rreth 6.5 milionë euro në vit.
Bileta është e nevojshme vetëm gjatë orareve të pikut për të hyrë në zonën e afërt me shatërvanin. Aksesi me pagesë zbatohet nga e hëna në të premte, nga ora 11:30 deri në 22:00, ndërsa në ditët e tjera nga ora 09:00 deri në 22:00. Hyrja e fundit lejohet në orën 21:00. Pas rënies së natës, hyrja është e lirë dhe falas për të gjithë.
Autoritetet theksojnë se masa e kufizimit të hyrjeve, e aplikuar si eksperiment gjatë vitit të kaluar, ka dhënë rezultate pozitive. Vetëm vitin e shkuar, rreth 10 milionë persona kanë pritur në radhë për t’u afruar pranë shatërvanit, ndërsa në disa ditë numri i vizitorëve ka arritur deri në 70 mijë.
Banorët e Romës janë të përjashtuar nga pagesa e biletës, ashtu si edhe nga tarifa e re prej 5 eurosh që do të aplikohet në disa site më pak të njohura të qytetit. Edhe turistët që nuk dëshirojnë të paguajnë do të kenë mundësi ta admirojnë shatërvanin nga distanca, pa asnjë pengesë vizuale.
Vendosja e tarifës për Shatërvanin Trevi vjen pas skemave të ngjashme të aplikuara në monumente të tjera ikonike si Panteoni në Romë dhe taksa ditore për vizitorët në Venecia, në përpjekje për të frenuar mbiturizmin dhe për ta bërë qytetin më të jetueshëm për banorët.