
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka deklaruar për mediat jashtë selisë së PD-së se mbledhja e zhvilluar sot e Komisionit të Reformës Territoriale është e pavlefshme, duke e cilësuar mënyrën e thirrjes së saj si të papranueshme.
Boçi u shpreh se thirrja e mbledhjes me “ultimatum” nga Taulant Balla përbën shkelje të normave të bashkëpunimit institucional dhe të funksionimit të komisionit. Ai theksoi se, si bashkëkryetar i komisionit, nuk ishte njoftuar për këtë mbledhje.
“Unë jam i detyruar të respektoj etikën dhe ta njoftoj bashkëkryetarin për gatishmërinë e grupit të PD dhe anëtarëve të komisionit për të bashkëvijuar këtë reformë që është e rëndësishme dhe nuk duhet paragjykuar. Duhet të ketë konsensus, jo marrëveshje me mazhorancën,” u shpreh Boçi.
Ai sqaroi se grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk bashkëpunon me kryeministrin Edi Rama në nivele që mund të konsiderohen si marrëveshje politike, duke nënvizuar se qëndrimi i PD-së është i qartë: reforma duhet të ecë përpara vetëm mbi bazën e dialogut dhe konsensusit.
Boçi shtoi gjithashtu se në Grupin Parlamentar të PD-së diskutimet zhvillohen në mënyrë demokratike, ku çdo deputet ka të drejtë të shprehë mendimin e tij, ndërsa qëndrimi final i partisë mbetet i unifikuar dhe i orientuar drejt interesit publik dhe reformave të mirëfillta.