Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç paralajmëron vizitë zyrtare në Kinë: Kina është mike e palëkundur e Serbisë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, bëri të ditur më 12 dhjetor se po përgatitet për një vizitë zyrtare në Kinë, e cila pritet të zhvillohet së shpejti. Lajmin ai e dha nga qyteti i Nishit, pas një takimi me ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming, njofton agjencia serbe Beta për REL.

Vuçiç tha se vizita do të ketë “rëndësi të jashtëzakonshme”, duke falënderuar presidentin e Kinës, Xi Jinping, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Serbisë.

“I jam mirënjohës presidentit Xi për mbështetjen që na ofron në çdo aspekt. Kam qenë shumë herë në Kinë, por ato kanë qenë vizita pune. Kjo do të jetë një vizitë zyrtare”, deklaroi Vuçiç.

Ai e cilësoi Kinën si “mike të sinqertë dhe të palëkundur të Serbisë”.

Vuçiç u takua së fundmi me presidentin Xi më 4 shtator në Pekin, ku kërkoi shtimin e investimeve kineze në Serbi. Vizita e tij e fundit atje ishte disa-ditore dhe përfshiu pjesëmarrjen në ceremoninë e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Marrëveshja për tregti të lirë mes Serbisë dhe Kinës hyri në fuqi në korrik 2024, duke eliminuar tarifat doganore për rreth 20.000 produkte. Sipas Bankës Popullore të Serbisë, Kina ishte investitori më i madh i huaj në vend gjatë vitit 2024.

Ndër investitorët kryesorë kinezë në Serbi janë kompania Zijin, e cila bleu RTB Bor në vitin 2018, dhe Hestil, që bleu Uzinën e Çelikut në Smederevë në vitin 2016.

Rritja e bashkëpunimit mes Serbisë dhe Kinës që nga viti 2012 ka sjellë herë pas here kritika nga BE-ja dhe SHBA-ja, të cilat kanë shprehur shqetësime mbi transparencën e investimeve kineze dhe marrëveshjeve të bëra shpesh pa garë publike.