
Admirali i Marinës amerikane, Alvin Holsey, komandant i Komandës së Jugut të SHBA (SOUTHCOM), do të largohet nga detyra dy vite para përfundimit të mandatit, mes tensioneve në rritje me Venezuelën dhe një sërë goditjesh amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe.
Largimi i tij do të zyrtarizohet të premten.
Sipas tre zyrtarëve amerikanë dhe dy burimeve të njohura me çështjen, ministri i Mbrojtjes Pete Hegseth e ka shtyrë Holsey-n drejt largimit.
Dy zyrtarë thanë se Hegseth ishte bërë gjithnjë e më i pakënaqur me punën e SOUTHCOM, ndërsa kërkonte të zgjeronte operacionet dhe ndikimin ushtarak të SHBA në rajon.
Diskutimet për shkarkimin e mundshëm të Holsey-t nisën rreth dy javë para njoftimit surprizë të dorëheqjes.
Edhe pse pati spekulime se ai ishte kundër goditjeve të fundit ndaj mjeteve të dyshuara të trafikut të drogës, Holsey i ka mohuar këto aludime në një takim me ligjvënës amerikanë, sipas deklarimeve të përmendura nga Politico.
Të premten në mëngjes, Holsey do t’i dorëzojë detyrën zëvendëskomandantit të tij, gjeneralit të Forcave Ajrore Evan Pettus, i cili do të marrë drejtimin e përkohshëm të SOUTHCOM.
Sipas një burimi, presidenti Donald Trump pritet të emërojë gjeneralin Frank Donovan, zëvendëskomandant i Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA, si pasues të përhershëm. Megjithatë, emërimi nuk është finalizuar.
Largime të njëpasnjëshme në Pentagon
Largimi i Holsey-t vjen në vazhdën e një sërë ndryshimesh të papritura në drejtimin e ushtrisë amerikane që prej vendosjes së Hegseth në krye të Pentagonit.
Midis tyre janë dhe largimet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralit C.Q. Brown, si dhe komandantes së Marinës, Lisa Franchetti – e para grua që ka mbajtur këtë detyrë.
Raste të tilla nuk janë të pashembullta: në vitin 2008, admirali William Fallon u largua një vit pas emërimit si komandant i Komandës Qendrore të SHBA, pas deklaratave të tij për Iranin që nervozuan administratën Bush.
SHBA sinjalizon rikthimin e Doktrinës Monroe
Largimi i Holsey-t ndodh në një moment kur administrata Trump po promovon një ndryshim të madh të politikës së jashtme.
Një dokument strategjik i publikuar këtë javë parashikon “ringjalljen” e Doktrinës Monroe, doktrina e shekullit XIX që e konsideron Amerikën Latine si zonë ndikimi të SHBA.
Buildupi masiv ushtarak në Karaibe, përfshirë praninë e një grupi aeroplanmbajtësesh, si dhe dislokimet e reja të trajnimit në shkollën e xhunglës në Panama, nënvizojnë këtë qasje të re.
SHBA ka rritur presionin ndaj presidentit venezuelian Nicolás Maduro, një aleat i Rusisë dhe Kinës, të cilin e akuzon për trafik droge, akuza të mohuara nga Maduro.
Tensionet u rritën më tej pasi Garda Bregdetare amerikane sekuestroi të mërkurën një cisternë nafte venezueliane, hera e parë që ndërhyhet ndaj naftës së Venezuelës që nga vendosja e sanksioneve në 2019.
Sipas Reuters, SHBA po përgatitet të ndërpresë më shumë anije me naftë venezueliane.
Ndërkohë, goditjet ajrore ndaj mjeteve të dyshuara të trafikimit të drogës janë nën vëzhgim të ashpër pas vendimit të 2 shtatorit për të kryer një sulm të dytë ndaj një skafi të dyshuar.
Manuali i Luftës i Pentagonit ndalon sulmet ndaj personave që janë të paaftë, të dorëzuar ose në gjendje të rrezikuar në det, për sa kohë që nuk paraqesin rrezik.
Administrata Trump e ka justifikuar operacionin si pjesë e luftës kundër karteleve të drogës, duke theksuar se droga që transportohet drejt SHBA “vret amerikanë.”
Në këtë sfond tensioni dhe transformimi të politikës amerikane, dorëheqja e Holsey-t shihet si pjesë e një ristrukturimi të gjerë të komandave amerikane në prag të një faze të re të ndërhyrjes ushtarake në hemisferën perëndimore.