Vendosni fjalën kyçe....

Rusia intensifikon sulmet ndaj hekurudhave të Ukrainës


Sistemi hekurudhor i Ukrainës, me gjatësi rreth 21 mijë kilometra, është jo vetëm një mjet transporti, por një shtyllë qendrore e përpjekjeve të luftës dhe një simbol kombëtar i qëndrueshmërisë. Megjithatë, ky rrjet jetësor po përballet me një valë gjithnjë e më të ashpër sulmesh ruse.

Një nga viktimat e fundit është Olha, punonjëse hekurudhe, e plagosur rëndë pas një sulmi rus në stacionin Shostka, në rajonin verior të Sumy-t. Ajo u transportua rreth 300 kilometra larg, në një spital të specializuar në Kiev, ku iu nënshtrua një operacioni në ije dhe iu vendos një pllakë metalike në këmbë.

Sulmi ndaj trenit ku ndodhej Olha u pasua nga një goditje e dytë me dron, e njohur si “trokitje e dyfishtë”, që synon civilët dhe ekipet e shpëtimit – një veprim që Ukraina e cilëson si krim të mundshëm lufte. Nga ngjarja u plagosën 30 persona, përfshirë tre fëmijë, ndërsa një burrë humbi jetën, dyshohet nga atak në zemër.

Sipas operatorit kombëtar Ukrzaliznytsia (UZ), gjatë muajit shtator numri i sulmeve ndaj hekurudhave u dyfishua krahasuar me gushtin – jo vetëm ndaj trenave, por edhe ndaj infrastrukturës që mbështet rrjetin.
Zëvendësministri Oleksiy Balesta bën të ditur se gjysma e sulmeve që nga fillimi i luftës kanë ndodhur vetëm në dy muajt e fundit.

“Pothuajse çdo ditë, gjatë dy muajve të fundit, kemi përjetuar sulme të synuara ndaj infrastrukturës së Ukrzaliznytsia-s dhe ndaj objekteve të transmetimit të energjisë”, deklaron Balesta, duke shtuar se Rusia po kërkon qëllimisht lokomotivat dhe po godet trenat e mallrave e pasagjerëve për të paralizuar rrjetin hekurudhor të vendit.

Pas zëvendësministrit ndodhet një lokomotivë e shkatërruar, pjesë e flotës ndërurbane të Ukrainës, e goditur gjatë një nate veçanërisht shkatërruese në fund të gushtit, në lindje të Kievit.
Sulmi përfshiu gjithashtu një kryqëzim hekurudhor kyç në Kozyatyn, në rajonin qendror të Vinnytsia-s, duke shkaktuar vonesa të mëdha dhe devijime të trafikut hekurudhor, shkruan BBC.

Teksa flet, zëvendësministri Balesta merr një mesazh nga asistenti i tij: një tjetër tren është goditur midis Kramatorskut dhe Slovianskut, në rajonin lindor të Donetskut, pranë vijës së frontit.
Vetëm gjatë ditës së sotme janë regjistruar tre kërcënime me bomba në shërbime të ndryshme hekurudhore, duke detyruar stafin të evakuojë trenat deri në momentin që njësitë e çminimit japin dritën jeshile për rinisjen e qarkullimit.

Zyrtarët ukrainas pohojnë se dy faktorë kryesorë kanë çuar në këtë valë të intensifikuar sulmesh.
Së pari, rritja e kapacitetit të Rusisë për të prodhuar në mënyrë masive dronë të lirë të tipit Shahed, të cilët tashmë janë në gjendje të mbulojnë distanca më të mëdha.
Së dyti, ngërçi në vijën e frontit, që ka shtyrë ushtrinë ruse të ndryshojë strategji, duke u fokusuar në shkatërrimin e linjave të furnizimit dhe infrastrukturës kritike.

“Është një betejë shumë e qartë për hekurudhat,” – deklaron Oleksandr Pertsovskyi, drejtor ekzekutiv i kompanisë hekurudhore UZ.
“Armiku po përpiqet të na ndalë plotësisht. Kjo është pjesë e një taktike lufte që synon të shkaktojë panik tek civilët, të shkatërrojë ekonominë tonë dhe ta bëjë vendin të pajetueshëm.”