Vendosni fjalën kyçe....

Spiuni ‘më i dëmshëm’ në historinë e FBI-së gjendet i vdekur në qeli


Ish-agjenti i FBI-së, Robert Hanssen, i dënuar me burgim të përjetshëm si spiun rus, u gjet i vdekur të hënën brenda qelisë së tij në Firence ADMAX në Kolorado, tha Byroja e Burgjeve të SHBA-së.

Pas zbulimit të Hanssen, stafi i burgut u përpoq ta ringjallte atë dhe ‘kërkoi shërbime mjekësore të menjëhershme’, tha në një deklaratë zëdhënësja e Byrosë së Burgjeve, Kristie Beshears.

“I burgosuri u shpall i vdekur më pas nga personeli mjekësor i jashtëm i urgjencës.”

79-vjeçari vuante dënimin me burgim të përjetshëm në një burg të sigurisë maksimale, i njohur për mbajtjen e të burgosurve në vetmi për 23 orë në ditë.

Hanssen u arrestua në shkurt 2001. Ai u deklarua fajtor për shitjen e informacionit sekret te Bashkimi Sovjetik dhe më vonë Rusisë, dhe u dënua në maj 2022.

Në më shumë se 20 vjet, Hanssen nuk e vizitoi kurrë Rusinë, ose nuk u takua drejtpërdrejt me kujdestarët e tij. KGB-ja dhe agjencia pasardhëse e saj SVR e njihnin atë vetëm me pseudonimin ‘Ramon Garcia’.

Për shkak të pozicionit të tij në kundërzbulimin amerikan, Hanssen dinte pothuajse të gjitha hollësitë e operacioneve sekrete që synonin sovjetikët.

Ndër sekretet që Hanssen tregtonte në Moskë, në këmbim të parave dhe diamanteve, ishin identitetet e të paktën tre oficerëve të KGB-së që punonin fshehurazi për amerikanët, përgatitjet e SHBA-së për luftë bërthamore dhe ekzistenca e një tuneli sekret nën ambasadën sovjetike në Uashington. DC.

FBI e quan Hanssen ‘spiunin më të dëmshëm në historinë e Byrosë’, ndërsa veprimtaritë e tij janë përshkruar si ‘ndoshta katastrofa më e keqe e inteligjencës në historinë e SHBA-së’.

Zbulimet e Hanssen, së bashku me ato të agjentëve të dyfishtë të CIA-s, Edëard Lee Hoëard dhe Aldrich Ames ‘ishin përgjegjës për asgjësimin e rrjeteve të inteligjencës njerëzore të CIA-s që vepronin në Bashkimin Sovjetik gjatë mesit të viteve 1980’, sipas ish-inspektorit amerikan të armëve Scott Ritter.

Ndërkohë, Hanssen jetoi një jetë të qetë në periferi me gruan e tij Bonnie dhe gjashtë fëmijët. Bonnie më vonë do t’u tregonte gazetarëve se ajo u përball me të për spiunimin në vitin 1979, por ai ishte në gjendje ta bindte atë se po ‘mashtronte’ sovjetikët duke u dhënë atyre informacione të rreme.

Në një intervistë të marsit 2020, kreu i SVR-së Sergey Naryshkin tha se Ames dhe Hanssen ‘kishin dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për sigurinë e Bashkimit Sovjetik’.